Dallaveret e bëra nga Ministria e Infrastrukturës në tenderin e Sinjalizimit dhe Mirëmbajtjes në Rrugët Magjistrale për këtë vit, për të cilat ka raportuar "Zëri”, janë vulosur edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).Ky institucion ka vendosur që për shkak të shkeljeve të shumëfishta të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) t’i çojë në rivlerësim pesë nga tetë pjesë të këtij tenderi, të cilat kanë vlerë prej mbi një milionë eurosh. Në rivlerësim, sipas vendimit të OSHP-së, do të shkojë edhe pjesa e dytë e këtij tenderi, që iu besua kompanisë "Eurokos & Drenica”, pronë e familjes Shamolli, për mbi 194 mijë euro, që sipas dokumenteve të publikuara më herët nga "Zëri”, kjo kompani ishte shpallur si e papërgjegjshme, ndonëse ky fakt nuk e kishte penguar Ministrinë e Mujotës ta shpërblejë këtë kompani me tenderë. Sipas konstatimeve të këtij institucioni, me një vendim që e kanë publikuar në faqen zyrtare të tyre, thuhet se MI-ja në këtë tender ka eliminuar nga gara kompani të caktuara dhe ka shpërblyer të tjera në mënyrë të jashtëligjshme. "Zëri” në mes të shtatorit kishte raportuar se ky tender u shoqërua me shpërblim të kompanive të papërgjegjshme, konflikte të njëpasnjëshme të interesit, ndërrim disa herë të komisioneve vlerësuese dhe tejkalim të afateve ligjore.
Gazeta ditë më parë ka botuar pjesë nga raporti i ekspertit të prokurimit, Azem Duraku, të cilit i ishte besuar që t’i bënte një ekzaminim këtij tenderi. Krejt konstatimet e ekspertit për shkelje të rënda, për të cilat MI-ja nuk ishte pajtuar, në fund u miratuan nga OSHP-ja.
Ndryshe, telashet me këtë tender filluan vetëm 20 ditë pasi ishte formuar komisioni i parë për vlerësimin e 12 ofertave të kompanive që u interesuan për të. Ky komision ishte shkarkuar nga ana e sekretarit permanent të kësaj ministrie, Skënder Gashi, për shkak të moskryerjes së punës, por kur e formoi komisionin e dytë, sekretari Gashi në të futi njërin nga anëtarët e komisionit të parë, e të cilët i pati shkarkuar për mospunë.
Emërimet e shkarkimet në këto komisione kishin çuar në konflikte të interesit të njëpasnjëshme, derisa në përbërjen e komisionit të fundit u gjend edhe u.d. i drejtorit të prokurimit, Bajram Bekolli.
Në përbërje të komisionit të fundit ishte emëruar edhe Halim Peci që punon në Drejtorinë e Rrugëve në MI dhe është njëri nga personat kyç mbikëqyrës të punëve që kryhen nga kompanitë e angazhuara në tenderin e sinjalistikës.
Në këtë ministri nuk kanë dashur të japin asnjë përgjigje për "Zërin” gjatë ditës së martë, edhe pas insistimit të gazetës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus