Janë bërë gati dy javë prejse Gazeta "Preportr” ka dalë me një raport hulumtues që tregon mbi shpërndarjen e mbi 100 milionë eurove të parasë publike, financuesve të partisë në pushtet, PDK-së. Brenda disa orësh, kjo parti ka marrë guximin t’i quaj shpifje raportet në të cilat gazetarët hulumtues të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) si dhe hulumtues të Organizatës ÇOHU! i kanë përgatitur për gati gjysmë viti. Gati gjysmë viti punë e gjashtë hulumtuesve është njollosur si shpifje nga partia në pushtet, por për dy javë rresht nuk është dhënë asnjë argument dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për ta konfirmuar këtë pretendim të PDK-së.Kjo është mënyra tipike e kualifikimeve që PDK-ja ka bërë në vazhdimësi për dhjetëra, apo edhe qindra raporte hulumtuese të gazetarëve e medies kosovare, thuhet në komunikaten e kësaj organizate. Duke kapur kanalet kryesore televizive nga të cilat informohet qytetari kosovar, para së gjithash televizioni publik, i mbushur me ithtarë të devotshëm të PDK-së, kjo parti po vazhdon që me arbitraritet t’iu përgjigjet raporteve të faktografuara për krime masive ekonomike.
Prodhim direkt i kësaj hajnie masive është një pushtet autoritar që bën kompromise politike në kurriz të shtetit pa i dhënë llogari askujt. Deputetë, anëtarë të kryesisë së Parlamentit, sindikalistë, po ashtu janë shndërruar në njerëz të kamur duke iu mbyllur kështu gojën edhe atyre që do të duhej të kërkonin llogari nga pushteti jo vetëm për manipulimin masiv të parasë publike, por edhe për kompromiset e vazhdueshme në kurriz të shtetësisë së Kosovës.
Skema e PDK-së në pushtet është e thjesht, por gjigante. Qindra miliona euro u janë shpërndarë kompanive që kanë financuar këtë parti, ose janë shpërndarë për kompanitë që janë themeluar enkas për tenderë publikë, e që kanë shërbyer si burim për shndërrimin e politikanëve në milionerë brenda dy mandateve. Sot liderët e Kosovës, madje bashkë me bodigardët e tyre e me zyrtarë nga të gjitha nivelet, kanë vlera pasurore marramendëse. Mbase, pushtetarët aktual kosovarë, janë politikanët e zyrtarët më të pasur në rajon, por i prijnë vendit më të varfër që po varfërohet edhe më shumë në vazhdimësi.
Produkti më i freskët final i korrupsionit masiv në Kosovë është fenomeni i parë botëror i organizimit të zgjedhjeve të një shteti në territorin e një shteti tjetër madje nën administrimin e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, siç është OSBE. Kosova sot po e pranon legjitimitetin e shtetit serb në një pjesë të territorit si pasojë direkte e futjes masive në korrupsion të tërë spektrit politik në pushtet, edhe atë në të gjitha degët e pushtetit.
EULEX-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë po tolerojnë krime të papara ekonomike pikërisht për shkak të nevojës për lojalitet të klasës politike kosovare. Ata nuk procedojnë lëndë kundër korrupsionit e krimit ekonomik, nuk ndihmojnë kosovarët për ndërtimin e infrastrukturës së fortë ligjore kundër mafies e korrupsionit politik pikërisht për shkak të nevojës së vazhdueshme për kompromise në kurriz të shtetësisë së Kosovës. Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shndërruar në një vend pa zot, në një vend pa kushtetutë, në një vend ku mbikëqyrja e fortë e shtetit nga të huajt nuk përfundon pikërisht për shkak të korrupsionit.
Metoda e politikës për të diskualifikuar raportimet hulumtuese si gënjeshtra, nëpërmjet gënjeshtrave të veta, është një mënyrë tashmë e hapur dhe e pacipë që krijon ambient për më shumë krim ekonomik, më shumë korrupsion politik, më shumë veprime mafioze të politikës. Përpjekja për të disiplinuar edhe një grusht gazetarësh që guxojnë të bëjnë raportime hulumtuese mbi sjelljen e këtij pushteti është kaluar me një indiferencë të paparë nga faktorët ndërkombëtar, por me një përkrahje të fortë nga prapaskena.
Ky pushtet është bërë i rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Ky pushtet për katër vite hëngri shtetësinë që e shpalli vet nën tutorimin e ambasadorëve të përfshirë po ashtu në afera e presione ndaj spektrit vendim-marrës në Kosovë. Kosova është bërë një vend ku lojaliteti politik ndaj ndërkombëtarëve të jep mosndëshkueshmëri për krimet ekonomike dhe hajnitë e hapura. Kosova në këtë formë është duke u shndërruar në një vend që s’ka asnjë pikë takimi me demokracinë. Prandaj Kosova është në rrezik nga korrupsioni politik dhe krimi ekonomik i përdorur si vegël për ta mbajtur politikën me llogaridhënie tek cilido zyrtar ndërkombëtar më shumë sesa tek organi më i lartë i vendit, Parlamenti i Kosovës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus