Kryesore » 2011»Maj»8 » “Çlirimi” ka marrë miliona euro nga Prishtina
4:00 PM
“Çlirimi” ka marrë miliona euro nga Prishtina
Së fundi, kjo kompani është duke punuar në ndërtimin e kolektorëve të lumit Prishtevasja në lagjen Kalabria. Vlera e këtij tenderi sipas zyrtarëve komunalë arrin shumën mbi tre milionë euro.
Për shkak të dyshimeve në këtë tender, katër zyrtarë komunalë janë burgosur nën dyshimin se i kishin dhënë 800 mijë euro një kompanie ende pa filluar punimet, shkruan Express.
Por, kjo kompani, e cila i dërgoi këta zyrtarë komunalë në paraburgim, nuk e ka fituar vetëm një tender nga Komuna e Prishtinës. Që nga koha kur Isa Mustafa është kryetar i komunës, kjo kompani ka fituar gjithsej tre tenderë me shuma të majme parash nga kjo komunë.
Kompania "Çlirimi” nga Prizreni, e krijuar në vitin 1999, tenderin e parë për rregullimin e Prishtinës, e fitoi në prill të vitit 2009. Në fillim ajo mori përsipër rregullimin e kolektorit të lumit Prishtevasja, te vendi Fusha e Pajtimit, në lagjen Gallapi, në Prishtinë. Ky projekt ka kushtuar mbi 1, 5 milion euro. Tenderin e dytë e fitoi në vitin 2010, për rregullimin e rrugës "B”, e cila lidh lagjet Kodra e Diellit dhe Mati 1. Kjo rrugë është pjesë e unazës së brendshme të qytetit të Prishtinës, e cila shtrihet prej QKUK-së dhe vazhdon deri te Banesat e Bardha, për të vazhduar deri në Matiçan. Faza e parë me gjatësi rreth 700 metra, tenderin për rregullimin e së cilës e ka fituar kompania "Çlirimi”, ka kushtuar përafërsisht 3.1 milionë euro.
Ndërkaq, i tërë projekti i kësaj rruge në gjatësi prej 2.2 kilometra, do të kushtojë rreth shtatë milionë euro. Përderisa faza e parë është përfunduar nga kompania, e cila i paraburgosi zyrtarët komunalë, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se për fazën e dytë të ndërtimit të kësaj rruge, tenderi vazhdon të jetë i hapur.
Kontrata e fundit, ditë më parë ua solli problemin më të madh komunarëve. Kjo sepse gjashtë zyrtarët komunalë i kanë siguruar kompanisë "Çlirimi” përfitim të paligjshëm, në dëm të Komunës së Prishtinës, duke ia dhënë kësaj kompanie 846.712.80 euro pa mbulesë. Në këtë kontratë të lidhur më 27 tetor 2010 në mes të Komunës së Prishtinës, si autoritet kontraktues dhe "Çlirimi” si kontraktues, është përcaktuar se Komuna do t’i paguajë pagesat kompanisë në pjesë, sipas vlerave të sasive të punimeve, nga 200 mijë euro. Pagesa është realizuar më 21 dhjetor 2010, duke i siguruar në këtë mënyrë përfitim të kundërligjshëm kësaj ndërmarrjeje, në dëm të Komunës së Prishtinës në këtë shumë parash. Me këtë veprim, këta zyrtarë komunalë kanë kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, prandaj ditë më parë, atyre u është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus