Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, mendon se në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit Perëndimor kërkohet udhëheqja e fortë dhe me përgjegjësi e BE-së.Edhe pse ai thotë se gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është përmirësuar në masë të madhe në krahasim me vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ai udhëhoqi forcat aleate të NATO-s në Evropë (1997-2000), gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, porosit që BE duhet të jetë i pranishëm vazhdimisht dhe fuqimisht në rajon. Duke folur në panelin me temë "Çështjet e mbetura hapur të Ballkanit”, të organizuar në Bruksel në kuadër të një konferencë dy-ditore për pikat kryesore të konflikteve në botë, Clark si anëtar i bordit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, theksoi se SHBA-të ia kanë lënë BE-së rolin kryesor në zgjidhjen e problemeve në Ballkan.Ai theksoi për Deutsche Welle-n se në Ballkan ka ende plagë të hapura, si rezultat i viteve tragjike për ne dhe se për popullsisë lokale, nga e cila disa kanë qenë viktima të krimeve të luftës, ka mbetur një detyrë e vështirë e pajtimit dhe e bashkëjetesës:"Për këtë nevojitet udhëheqje këmbëngulëse, e përgjegjshme dhe e fortë nga ana e BE, që duke punuar me udhëheqësit e zgjedhur lokalë, të edukojë dhe të zbatojë politikat përgjegjëse, që do të çonin në pajtimin dhe shërimin e domosdoshëm”.
Shumë shpejt janë lëshuar gjërat në Bosnjë dhe Hercegovinë
Clark, i cili nga forcat ushtarake të SHBA në vitin 1994 ishte përgjegjës për planifikimin e përgjigjes ndaj konflikteve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe sigurimin e mbështetjes së NATO-s për trupat e OKB-së në terren, beson se BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare "i kanë lëshuar shumë shpejt”, gjërat në Bosnjë Hercegovinë.
Clark thotë për Deutsche Welle-n se në Bosnjë Hercegovinë ka ende nevojë që palët të afrohen, që të formohet një qeveri e përbashkët, e cila do të jetë efektive në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të saj.
"Autoritetet nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Qeveria nuk është formuar, nuk nxitet në mënyrë të mirë zhvillimi ekonomik. Kjo nuk mund të bëhet në kushtet, që janë dhe për këtë arsye aty ka nevojë për udhëheqje të fortë evropiane”, shprehet Clark.
Konfigurimi i shtetit në Kosovë
Operacioni i fundit, të cilin Clark e drejtoi si shef i forcave të përbashkëta të NATO-s në Evropë, ishte pikërisht ndërhyrja në Kosovë. Menjëherë pas luftës në Kosovë Clark doli në pension.
Pyetjes se si i sheh tensionet e tanishme në veri të Kosovës, Clark përgjigjet për Deutsche Wellen, se kjo është pjesë e përpjekjeve për konfigurimin e shteteve dhe një proces që duhet të kalojë:
"Shqiptarët e Kosovës, shteti i të cilëve ky është, duhet të marrin përsipër detyrimet doganore. Nga ana tjetër Serbia duhet të lëshojë qytetarët në veri të Kosovës. Ata gjithmonë do të kenë afërsi kulturore, por ky nuk është vendi i tyre. Në pyetje është një proces gradual, i cili do të jetë më i lehtë për t’u zbatuar me udhëheqje të fuqishme ndërkombëtare”, thotë Clark.
Me perspektivën evropiane kundër dhunës
Konkluzioni i përgjithshëm i panelit mbi çështjet e mbetura hapur në Ballkan është që BE-ja "t’i mbajë pranë vetes” vendet e këtij rajoni përmes rolit të saj udhëheqës, dhe sidomos me perspektiven e anëtarësimit në BE, që i është dhënë Ballkanit Perëndimor.
BE duhet të përfaqësojë "forcën lëvizëse” në drejtim të paqes, prosperitetit dhe demokracisë, duke parandaluar në të njëjtën kohë "kthesat negative” të dhunës, apo të konflikteve të së kaluarës
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus