Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Agim Çeku dhe ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi kanë arritur ta bindin të mërkurën Komisionin parlamentar për siguri, punë të brendshme dhe mbikëqyrje të FSK-së se memorandumi i përfolur ditëve të fundit mes këtyre dy ministrive është në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe është i hartuar mbi bazën ligjore. Dy ministrat kanë raportuar para Komisionit për këtë draft-memorandum, i cili ka qarkulluar në media ditëve të fundit, duke thënë se është keqkuptuar ai dokument, ngase sipas dy ministrave, nuk është qëllimi i këtij dokumenti që FSK-ja të marrë kompetencat e policisë.
Kreu i MFSK-së, e cila është nismëtare e këtij memorandumi, ka thënë se kjo iniciativë është e mbështetur plotësisht në ligj dhe në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i vetëm, sipas Çekut, është që ta ndihmojë policinë në raste kur FSK-së i kërkohet një gjë e tillë dhe kur kjo miratohet nga Qeveria dhe nga prezenca ushtarake.
"Është një projekt që e bën FSK-në të jetë më e dobishme për vendin sesa që është sot, edhe sot është e dobishme. Është një projekt që e fuqizon bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimit në sektorin e sigurisë dhe nuk ka të bëjë vetëm me detyrat e FSK-së. Kjo është një pjesë. Me vonë do të them se ka të bëjë me një bashkëpunim jo vetëm të detyrave, por në shumë aspekte të ndryshme. Është një projekt që fare nuk i përzihet policisë në kompetencat e veta, dhe as që e politizon FSK-në dhe as që e ndërron misionin, aspo statusin apo karakterin e FSK-së. Por vetëm e bën më të aftë të ndihmojë policinë, vetëm e vetëm pasi ta kërkojë një gjë të tillë dhe miratohet nga Qeveria dhe prezenca ushtarake”, ka thënë Çeku, transmetoi Koha.
Ndërkaq, ministri Bajram Rexhepi, i cili insiston që lajmi për këtë memorandum më tepër ka qenë një spekulim medial, i cili ka shkaktuar me të drejtë shqetësim tek opinioni, por edhe tek Komisioni parlamentar për siguri, ka thënë se kjo fushatë mediale duhet të përmbyllet me kaq dhe duhet pasur shumë kujdes për institucionet, sidomos FSK-në dhe Policinë e Kosovës, të cilat kanë synim të përbashkët sigurinë dhe shërbimet për qytetarët.
Komisioni parlamentar i ka dhënë mbështetje çdolloj bashkëpunimi mes MFSK-së dhe MPB-së, por ka kërkuar që gjithë kjo të bëhet mbi bazën e ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Republikës.
Ndryshe, në media ka qarkulluar ditëve të fundit një draft-memorandum i hartuar nga zyrat ligjore të dy ministrive përkatëse, MFSK dhe MPB, në të cilin parashihet që FSK-ja të angazhohet edhe në arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë, por edhe për menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit dhe kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus