Kryesore » 2012 » Qershor » 27 » BSPK: Të tërhiqet vendimi për shtrenjtim të energjisë
3:09 PM
BSPK: Të tërhiqet vendimi për shtrenjtim të energjisë
Vendimi i Zyrës së rregullatorit të Energjisë për ngritjen e çmimit të energjisë për 8.0 për qind, është kundërshtuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Në një konferencë për media, ata theksuan se ky vendim është i papërballueshëm dhe po i dëmton edhe më tej qytetarët, pasi që sipas tyre, po ndikon në ngritjen zinxhirore të çmimeve edhe të artikujve tjerë.Ata kërkuan nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kuvendi dhe Zyra e Rregullatorit, që ta rishikojnë dhe ta tërheqin këtë vendim.Nënkryetari i BSPK-së Avni Ajdini tha se duhet të gjenden mënyra tjera për mbulimin e shpenzimeve që mund t’i ketë një Korporatë Energjetike dhe jo të ngrihet çmimi i energjisë.
"Është dashur të bëhet një analizë e mirëfilltë për ngritjen e çmimit. Është dashur të merret parasysh shporta e qytetarit. Por, njerëzit e caktuar aty nuk kanë aftësi për menaxhim. Lënda e parë për energji në Kosovë është falas, dhe nuk kanë asnjë akcizë në lëndën e parë. Dhe dobësia e udhëheqjes së menaxhimit e ka sjell ngritjen e çmimit. Në kurriz të qytetarit dëshirojnë t’i mbulojnë humbjet e veta”, theksoi Ajdini.Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 8.9 për qind është marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ditë më parë.

Çmimi mestar i energjisë elektrike në Kosovë para këtij vendimi ishte 5.6 cent për kilovat, që sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës është çmimi më i lirë në rajon.

BSPK theksoi se nëse nuk do të bëhet tërheqja e këtij vendimi do të mund të kërkojnë nga qytetarët që ta bojkotojnë pagimin e energjisë elektrike.

Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës, në një deklarate dhënë kohë më parë Radios Evropa e Lirë kanë theksuar se janë rreth 400 milionë euro që konsumatorët i kanë borxh kësaj kompanie për rrymën e shpenzuar gjatë 13 vjetëve të fundit.

Pjesa veriore e Mitrovicës, që është e banuar më shumicë serbe, mbetet rajoni më borxhet më të mëdha, pasi që nga përfundimi i luftës, KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas KEK-ut llogaritet të jetë rreth 100 milionë euro.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë, për 8.9 edhe sipas disa qytetarëve është i papërballueshëm.

"Sidomos për skamnorët dhe pensionistët ndikon shumë kjo ngritje e çmimit të energjisë. Për ata që kanë paga më të larta nuk është vështirë. Qeveria është dashur të ndihmojë në këtë dhe të mos e lejon këtë shtrenjtim”, u shpreh Isak Neziri.

Për Ilaz Gashin, ngritja e çmimit të energjisë elektrike po ndikon edhe në ngritjen e produkteve tjera ushqimore.

"Gjithçka është shtrenjtë. Nuk mund të ja dalash më një rrogë 170 euro e me këto çmime të larta është në të vërtetë vështirë”, tha ai.

Vendimin e ZRRE-së ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë kundërshtuar edhe Organizatat Joqeveritare në Kosovë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus