Kryesore » 2012 » Gusht » 4 » BSH: Kriza po varfëron shqiptarët
12:00 PM
BSH: Kriza po varfëron shqiptarët
Raporti i fundit mbi politikën monetare u publikua dje, duke iu referuar 6-mujorit të parë të vitit 2012. Të dhënat paraqiten tepër negative. Qeveria ka ulur investimet me të paktën 25 për qind, shkëmbimet tregtare janë tkurrur, biznesi nuk po investon aq sa duhet, po ashtu kredia për ekonominë regjistron kuota larg periudhës 2008, të para krizës. Raporti tregon në thelb se shqiptarët po varfërohen, duke u zhytur në pesimizëm të thellë. Kjo panoramë duket edhe te biznesi. Deri dje, raporte të ndryshme tregonin se shqiptarët po kursejnë të nxitur nga kriza dhe situata pesimiste, shkaktuar nga ngjarjet në rajon, por të dhënat e fundit paraqesin një tendencë të ardhurash gjithnjë e në rënie. 

Pagat mesatare në privat janë tkurrur me të paktën 4 për qind në pjesën e parë të vitit. ë raportin e politikës monetare për 6-mujorin e parë 2012, tregon se shqiptarët po e mbajnë dorën jo vetëm te shpenzimet për shërbime, por edhe te mallrat, ku futen ushqimet.

Importi i mallrave për konsum në terma realë, si tregues sasior i konsumit privat në ekonomi, u rrit me 6.9 për qind në tremujorin e parë, pasi ishte rritur me 7.6 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011.

Ngadalësim të konsumit privat dëshmohet edhe nga zvogëlimi i të ardhurave prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (-0.3 për qind rënie vjetore reale). Të dhënat për burimet e financimit të konsumit privat gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 disponohen pjesërisht, thotë banka.

Komponenti më i qëndrueshëm i të ardhurës konsumatore, paga, vlerësohet të ketë shënuar rënie në terma realë që nga tremujori i dytë i vitit 2011. Prirja rënëse e të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale sinjalizon për rënie të mëtejshme të pagës edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012.

Burimet e tjera të financimit, kredia konsumatore dhe flukset hyrëse të remitancave, kanë vazhduar të mbështesin konsumin edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Rritja e qëndrueshme e depozitave me afat të individëve, si edhe zgjerimi i portofolit të tyre me bono thesari, dëshmon për një sjellje të kujdesshme konsumatore në drejtim të shpenzimeve, është një tjetër vlerësim i BSH-së.

Tatimi mbi të ardhurën personale, që u rrit me 0.1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012 dhe ra me 4.4 për qind në tremujorin e dytë të tij, dëshmon se pagat në privat sa vijnë dhe ulen.

Treguesit më të fundit indirektë për konsumin privat sinjalizojnë ngadalësim të mëtejshëm të tij gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012. "Rënia e treguesit të besimit konsumator gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012 është ndikuar në shkallën më të madhe nga rënia e balancës për blerjet e mëdha (balanca shënoi rënie me 5.4 pikë përqindje duke qëndruar rreth 3 pikë përqindje nën mesataren e vet afatgjatë)”, thuhet në raport.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik jashtë, veçanërisht në Eurozonë, ndikoi në rënien e vlerës nominale të eksporteve shqiptare në tremujorin e parë.

Gjithashtu, pasiguritë për zhvillimet makroekonomike vijuan të kushtëzojnë një sjellje të kujdesshme të sektorit privat në drejtim të kryerjes së konsumit dhe investimeve.

"Ecuria e ngadaltë e konsumit privat është ndikuar edhe nga rritja e ulët e të ardhurave dhe mungesa e dinamizmit në tregun e punës”, shprehen ekspertë të BSH-së. Në këto kushte, rritja e ekonomisë nuk mund të sillte lajme të mira.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus