Kryesore » 2012 » Dhjetor » 13 » Brukseli i padrejtë
12:40 PM
Brukseli i padrejtë
Kushtëzimet e BE’së ndaj Kosovës për nisjen e negociatave për MSA’në janë pritur keq në Prishtinë. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Brukseli po tregohet i padrejtë, derisa është shfaqur kritik edhe ndaj EULEX’it. Përfaqësuesi i BE’së, Samuel Zbogar, është përgjigjur duke thënë se autoritetet kosovare duhet ta luftojnë korrupsionin, krimin e organizuar si dhe të vazhdojnë dialogun me Serbinë. Kryeministri Hashim Thaçi i ka kundërshtuar konkluzionet e BE’së në lidhje me Kosovën, të cilat janë publikuar të martën në mbrëmje. BE nuk e ka aprovuar nisjen e negociatave për MSA’në, pasi Komisioni Europian as që e kishte rekomanduar një gjë të tillë. Përkundrazi, Brukseli vetëm sa i ka ashpërsuar kriteret që Kosova duhet t’i plotësojë për të arritura te MSA’ja, duke kërkuar përparime në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dialogut me Serbinë, në mënyrë që gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të merret një vendim pozitiv. 

Kjo ka bërë që Kryeministri Hashim Thaçi të akuzojë BE’në se nuk ka një qasje unike ndaj Kosovës.

"Bashkimi Europian, është e qartë, po vonohet me Kosovën, padrejtësisht. Kosova po mbetet viktimë e mosunitetit europian në raport me statusin politik për Kosovën. 22 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, disa prej tyre jo. Defekti i vonesës europiane të Republikës së Kosovës qëndron në Bruksel nga mosuniteti i tyre për statusin politik dhe jo në Prishtinë”, ka thënë Thaçi, teksa ka folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrime.

Kryeministri nuk e ka përfillur as kërkesën për respektimin e mandatit të ripërtërirë të EULEX’it.

Në dy prej konkluzioneve të BE’së, në mënyrë eksplicite kërkohet që Kosova të forcojë bashkëpunimin e ngushtë me EULEX dhe ta respektojë mandatin e ripërtërirë të këtij misioni. Po ashtu kërkohet edhe bashkëpunim me Taskë Forcën e EULEX’it, e cila po heton pohimet për trafikim me organe në Kosovë e ku përfshihet edhe vetë Kryeministri dhe figura të tjera të UÇK’së.

Madje Thaçi ka thënë se mandati i EULEX’it duhet të rishikohet pasi në punën e misionit ka lëshime.

"Natyrisht edhe EULEX’in e kanë përcjellë lëshime dhe dobësi dhe unë si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës e mbështes idenë dhe iniciativën për debatin në Parlamentin e Kosovës për rishikimin e misionit dhe mandatin e EULEX’it nga partitë politike të Kosovës”, ka paralajmëruar Kryeministri i Kosovës.

I pari kërkesën për rishikim të misionit të BE’së për Sundim të Ligjit e ka kërkuar Adem Grabovci i PDK’së, pasi EULEX kishte paraburgosur Fatmir Limajn, i dyshuar për krime lufte.

Por, Shefi i Zyrës së BE’së në Prishtinë, Samuel Zbogar, ka deklaruar se duhet të përmbushen kriteret e përmendura në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 27 vendeve anëtare.

Ai ka kërkuar vullnet dhe përkushtim nga të gjithë në Kosovë për t’i përmbushur kërkesat e BE’së, të cilat janë përmbledhur në konkluzione.

"Konkluzionet kanë konfirmuar se ne e duam Kosovën dhe ato janë çka duhet të përmbushë Kosova për të nisur marrëveshjen për MSA’në”, ka thënë ai.

Sipas tij, pavarësisht dallimeve të disa vendeve të BE’së, aty ekziston një vullnet i përbashkët për të hapur rrugën europiane për Kosovën.

Edhe organizatorja e organizimit për integrime në BE, Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova është në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve që i kanë parashtruar Brukseli.

"Në mbledhjen e djeshme të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, në kuadër të detyrave për Kosovën, është thënë që duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me EULEX-in, si dhe lufta kundër korrupsionit të mbështetet me dëshmi konkrete”, ka thënë Presidentja.

Krejt ndryshe ka folur Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se problemi më i madh i Kosovës mbetet përzierja e politikës në drejtësi.

"Nuk mund të themi se nuk ka ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë....Ky sistem nuk funksionon gjithherë mbi bazën e ligjeve në fuqi. Nuk funksionon në drejtësi, paanshmëri dhe ka selektime të fuqishme dhe në këtë mënyrë e pengon rrugën e integrimit të Kosovës në institucione veriatlantike”, ka thënë Krasniqi.

Në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane kanë munguar përfaqësuesit e partive opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

Ndërsa i pranishëm ka qenë vetëm deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se Kosova nuk do të anëtarësohet asnjëherë vetëm duke folur. Ai ka kërkuar veprime konkrete për të luftuar korrupsionin për të ecur më shpejt drejt Brukselit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus