Diaspora kosovare, e cila ka kontribuar në Fondin e Republikës së Kosovës, përveç formës së derdhjes së kontributit monetar në fond, duke ndarë një përqindje të pagës personale, apo duke dhuruar shuma të ndryshme të parave në emër të buxhetit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, një formë tjetër të kontributit e ka dhënë edhe nëpërmjet blerjes së bonove të emetuara nga Qeveria Bukoshi, në poenë të ndryshëm, si garanci bankare, të cilat do të siguronin lehtësime për investimet e tyre private në shtetin e ri të Kosovës, pas çlirimit të tij. Megjithatë, ky premtim i Qeverisë së Përkohshme ka mbetur vetëm një premtim në letër, ngase Qeveria Bukoshi akoma u ka borxh blerësve të këtyre bonove jo më pak se 60 milionë marka gjermane, të cilat nuk u kthyen nëpërmjet lehtësimit të investimeve në shtetin e Kosovës për asnjërin nga blerësit e bonove të tilla. Në bisedë për gazetën, ish-kryeministri i Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, ka folur gjerë e gjatë për mënyrën dhe qëllimin e emetimit dhe shitjes së këtyre bonove. "Nuk është kurrfarë sekreti që janë bërë ato bono, kurse vlera e tyre ka qenë prej 500 dhe 1 000 marka gjermane, të shtypura dhe të evidentuara, por ne nuk e dimë nëse edhe dikush tjetër ka mundur të shtypë dhe të emetojë bono të tilla të ngjashme”, tha Bukoshi për "Kosova Sot”. Ai tha se këto farë triskash janë dhënë në kohën e fushatës "Gjithçka për pavarësinë e Kosovës” dhe janë dhënë në fushatë pa ndonjë garanci bankare. "Kur e ke marr bonin, i ke dhënë paratë dhe ky ka qenë një aksion ad hoc i mbledhjes së të hollave”, tha Bukoshi. Ai, me keqardhje konfirmon se asnjërit prej kontribuuesve të kësaj forme të dhënies së kontributeve me garanci "bankare’ në letër, në emër të Republikës së Kosovës, nuk i janë kthyer paratë. "Jo, jo, nuk kanë mundur të kthehen, sepse edhe ne nuk kemi tentuar që ato që mblidhen të kthehen, por kjo ka qenë si një ndihmë, e cila do të evidentohet, që do të mbetet e dokumentuar, dhe ata që i kanë pasur ata bona, është theksuar se do t’u lehtësohen procedurat që kur Kosova të bëhet shtet i pavarur ta fillojnë ndonjë investim, është konceptuar ashtu si investim që mund të bëhet nga bashkatdhetarët, por, për fat të keq, kjo nuk ka mundur të realizohet ende në Kosovë. Kjo është një vlerë, të cilën ne kemi menduar ashtu që ta lehtësojmë ndonjë biznes për ndonjë investim kur të kthehen njerëzit në Kosovë. Për këtë qëllim ka qenë”, tha Bukoshi për "Kosova Sot”.
Institucionet ta hulumtojnë rastin
Dërguesi i kopjes së bonit të publikuar në gazetë, z. Ibrahim Kelmendi, tha se personalisht nuk ka të dhëna për shifrën e bonove të shitura në Gjermani, as për kohën se sa ka zgjatur aksioni i shitjes së tyre, por tha se tash është në kompetencë të Qeverisë, Presidencës dhe Parlamentit të Kosovës që të hulumtojnë gjetjen e zgjidhjes së mirëfilltë ligjore për trajtimin e blerësve të atyre bonove, për të cilat ka mbetur borxh Qeveria Bukoshi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus