Kryesore » 2011 » Shtator » 16 » Blindohet veriu, policia e Kosovës në pikat 1 e 31
10:33 AM
Blindohet veriu, policia e Kosovës në pikat 1 e 31
Ashtu siç ishte premtuar dhe kryeminsitri i Kosovës Hashim Thaçi ka filluar të premten rreth orës 07:00 të mëngjesit plani operacional në dy pikat kufitare në veri të vendit. Nën koordinimin e KFOR-it dhe EULEX-it, pjesë e planit dhe e rikthimit të doganierëve në pikat 1 dhe 31 do të jetë dhe policia e Kosovës. Në mbrëmjen e së enjtes, serbët e veriut bllokuan pikën kufitare në Jarinjë me kamionë pak kohë pasi KFOR-i mbylli vendkalim me tela me gjemba. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç dhe shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç, u nisën për në Kosovë rreth mesnatës për të mbështetur serbët lokalë në përpjekjet e tyre për t`i penguar forcat e autoriteteve kosovare që të vendosen në pikat kufitare në veri. Barrikadat e vendosura nga KFOR janë ngjiTur mbishkrime në gjuhën serbe dhe në atë angleze duke kërcënuar "STOP ose do t`iu qëllojmë". Gjithashtu, janë vendosur reflektorë të fuqishëm në rrugët që çojnë në pikëkalimin në Jarinje, ndërkohë që KFOR-i shtoi forcat e sigurisë. 
Rreth orës 22:00 të së enjtes Patriarku serb Irinej ka apeluar, në Mitrovicë për bashkimin e popullit serb për ta mbrojtur siç ka thënë Kosovën e Metohinë.
Ndërsa kryeminsitri Thaçi në konferencë të vonë për shtyp, pak orë para zbatimit të planit operacional në veri shprehu vendosmërinë për vazhdimin e planit dhe kërkoi maturi dhe qetësi nga qytetarët e shtetit të Kosovës.
"Ju drejtohem të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, kudo në Kosovë, të ruajnë maturinë. Nesër policët dhe doganierët e Kosovës, bashkërisht me EUELX dhe NATO-n do të fillojnë implementimin e planit operacional për veriun” ka theksuar Thaçi.
Plani operacion është hartuar nga Qeveria e Kosovës, në koordinim dhe mbështetje të plotë me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe EULEX-in.
"Jam krenar që kemi pasur mbështetjen e mirëkuptimin tuaj dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky është sukses i yni i përbashkët, i shtetit tonë të ri, i gjithë qytetarëve të Kosovës. Ta ruajmë qetësinë dhe maturinë. Në veri nuk është në konflikt qeveria me qytetarin, po e drejta me padrejtësinë. Askush nuk ka nevojë të shqetësohet. Të vazhdojnë jetën normale në pronat e tyre. Ju lus si kryeministër për mirëkuptim. Ju siguroj se ne nuk do të zmbrapsemi. Ju lus për bashkëpunim. Integrimi i veriut do të jetë një proces me shumë sfida.Kosova është e kosovarëve!" ka theksuar më tej Thaçi.
Megjithatë mediat kosovare raportuan se gjatë natës janë dëgjuar të shtëna në Lagjen e Boshanjakëve në Mitrovicë ndërsa Goran Bogdanoviç vizitoi serbët e grumbulluar tek pika kufitare 1 në Jarinje, të cilët deklaruan se do të qëndrojnë aty gjatë gjithë natës.
Situata nga mediat, jo vetëm vendase por edhe ndërkombëtare përshkruhet si e tensionuar. Ndërsa Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjatë vizitës së tij në Prishtinë i dha dritën jeshile një kundër reagimi nga ana e forcave të NATO-s, në rast se dikush do të guxonte të prishte rendin dhe paqen në veri.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus