Kryesore » 2011 » Korrik » 9 » Bizneset turke pushtojnë Kosovën dhe Shqipërinë
6:32 PM
Bizneset turke pushtojnë Kosovën dhe Shqipërinë
Bizneset turke kanë depërtuar me sukses në tregjet e Ballkanit. Askund tjetër nuk është kjo më e dukshme se në Kosovë dhe Shqipëri, ku investimet në bankat, aeroportet, shkollat dhe institucionet e kujdesit shëndetësor të këtyre vendeve po japin përfitime reciproke. 
Gjatë dekadës së kaluar, Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK) regjistroi 405 kompani turke dhe 2339 punëtorë në fushën e ndërtimit, arsimit, turizmit, kujdesit shëndetësor, telekomunikacionit, transportit dhe tregtisë. Duke folur për SETimes, Drejtori i APIK Mustafë Hasani përmendi disa kompani të mëdha, fuqia e madhe punëtore e të cilave ka pasur një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përfshirë edhe firmën e ndërtimit Bechtel Enka, agjencinë ajrore Limak Group, si dhe bankat TEB (Paribas) dhe BKT. APIK citon Turqinë në strategjinë e investimeve të huaja për shkak të përparësisë krahasuese të Turqisë në Kosovë nga një kulturë dhe një fe e përbashkët," tha Hasani. Ai shpjegon se shumica e fuqisë punëtore të re të Kosovës flet edhe turqisht edhe anglisht dhe ka studiuar ose në Kosovë ose në Turqi. 

Tregtia dypalëshe ka luajtur një rol të madh në kultivimin e një partneriteti mes dy vendeve. Disa organizata, të tilla si Dhoma Turke e Tregtisë dhe Ekonomisë së Kosovës, ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Turqi.

Hasani gjithashtu thekson statusin preferencial të Kosovës në BE dhe CEFTA si një tjetër përfitim për bizneset turke. Duke krijuar prodhim në Kosovë, Turqia mund të eksportojë mallrat e saj në BE dhe CEFTA pa pësuar tarifa doganore.

"Në këtë kontekst, unë besoj se Turqia duhet ta shohë Kosovën si një mjedis miqësor për investitorët potencialë," tha Hasani.

Qeveria e Kosovës ka treguar mbështetjen e saj për investimet turke. Në mars, kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Turqinë për t'u takuar me homologun e tij Rexhep Tajip Erdogan.

"Kosova e konsideron Turqinë partnerin e saj strategjik, dhe mirëpret ndihmën e saj për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan," tha Thaçi.

Investitorët i janë përgjigjur thirrjes së Kosovës. Kohët e fundit, grupi i kujdesit shëndetësor Medicana njoftoi planet për të ndërtuar një spital ndërkombëtar të akredituar në Kosovë.

Daily Express e Kosovës ka raportuar më 10 maj që ministri i shëndetësisë i Kosovës, Ferid Agani, u takua me Husein Boskurt, kryetar i bordit të drejtorëve të Medicana, për të shprehur mbështetjen institucionale për projektin.

Bizneset e Turqisë janë gjithashtu aktive në Shqipëri në sektorin bankar, financiar, të ndërtimit, turizmit, kujdesit shëndetësor, telekomunikacionit, tregtisë dhe transportit.

Shifrat e publikuara nga koordinatorja për ndihmën e huaj në Shqipëri Azeta Çollaku Xhafka tregojnë se investimet turke kanë pasur ndikim më të madh mbi tregtinë dhe transportin, pasuar nga industria e përpunimit dhe ndërtimi.
Në vend veprojnë 111 kompani turke.

Sipas televizionit publik shqiptar RTSH, investimet turke në Shqipëri u rritën në 260 milionë euro në vitin 2010.

Investitori më i madh në Shqipëri -- konglomerati turk Çalik Holding -- ka investuar rreth 340 milionë euro në infrastrukturën shqiptare dhe telekomunikacionet, sipas Presidentit për Evropën Jugore dhe Ballkanin të Grupit Çalik, Orhan Çoskun.

"Për sa i përket popullsisë dhe potenciali të tregut, Shqipëria është investimi më i mirë," tha Çoskun. Ai konfirmoi po ashtu planin e kompanisë për të hyrë në sektorin e energjisë, duke theksuar përvojën e saj në këtë fushë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus