Kryesore » 2012 » Gusht » 20 » Bie trendi i shitjes së banesave në kryeqytet
1:35 PM
Bie trendi i shitjes së banesave në kryeqytet
Trendi i shitjes së banesave në kryeqytet ka rënë. Sipas ekonomistëve këtë situatë e solli alarmi për krizën financiare globale, hyrja në obligime të mëdha financiare nëpër banka nga ana e ndërtuesve të banesave kolektive pa pasur mundësi për kthimin e kredive më kohë, si dhe pamundësia për të përmbushur në afat obligimet që ata kishin marrë karshi blerësve. Ndonëse, nuk ka statistika se sa për qind të banesave të ndërtuara po mbesin pa u shitur, ajo që dihet sigurt është se fuqia blerëse ka rënë dukshëm, thonë përfaqësues të biznesit, në Prishtinë. 
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit ka thënë për "Kohën Ditore” se kriza ekonomike ka prekur gjithë sektorët në Kosovë, por në veçanti atë të ndërtimit."Kjo po e vështirëson punën e tyre duke ngadalësuar ritmin e rritjes së zhvillimit të ndërtimtarisë, e cila ka qenë një nga produktet më profitalbile, por edhe një nga produktet që i ka sjellë zhvillim ekonomik shtetit”, ka deklaruar Shahini.

Por, kriza që ka goditur tregun në këtë kohë, sipas tij, i ka vënë në një pozicion jo të mirë pronarët e firmave ndërtimore, ku kërkesa për material ndërtimor është rritur, por njëkohësisht janë rritur edhe çmimet e këtij materiali, kurse kërkesat për blerjen e të objekteve të banimit janë në rënie e sipër .

"Kjo ndodhë për arsye se fuqia konsumuese në Kosovë vazhdimisht është në rënie dhe bizneset e ndërtimtarisë kanë hyrë edhe në kredi nëpër banka dhe tash po kanë vështirësi që t’i kthejnë kredit”, ka pohuar Shahini. Ai madje kanë përmendur edhe një problem tjetër, siç është ai se pronarët e firmave ndërtimore po kanë vështirësi të paguajnë edhe taksat e shtetit.

"Jo vetëm që kanë probleme rreth kthimit të kredive, por pronarët e firmave ndërtimore po kanë vështirësi të paguajnë edhe taksat e shtetit”, ka thënë ai.

E pozicionin më të keq të tyre, Shahini e ka vlerësuar mos realizmin e ndërtimit të banesave në kohën kur pronarët u kanë premtuar blerësve.

"Çka është edhe më e keqja, ata po kanë vështirësi që të realizojnë ndërtimet në kohën kur u kanë premtuar blerësve, dhe kjo po i vështirëson edhe më shumë pozicionin e tyre, e madje po i sjell edhe në konflikt palët”, ka thënë Shahini.

Kurse, kolegu i tij nga shoqata tjetër e bizneseve, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka bërë të ditur se kriza në sektorin e ndërtimit, veçmas në Prishtinë ka filluar të ndihet që në vitin e shkuar, por sipas tij ajo sivjet ka arritur kulmin.

"Vështirësitë kanë filluar me të madhe vitin e kaluar, por sivjet kanë arritur kulmin problemet në ndërtimtari”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë në Kosovë është duke u ballafaquar me sfida të shumta, të cilat ai thotë se janë rrjedhojë e dy faktorëve. "Kur bisedohet për faktorët ekstern, fjala është për pasojat e krizës globale e në veçanti në Eurozonë, ku është e koncentruar pjesa dërmues e diasporës kosovare, të cilët më nuk e kanë interesimin sikur më parë për të blerë banesa në Prishtinë”, ka thënë Gërxhaliu. E ndikimin e këtij faktori sipas tij, e dëshmojnë edhe të dhënat konkrete siç është raporti i Bankës Botërore dhe Enti i Statistikave, të cilët flasin se

Investimet nga diaspora dhe remitencat kanë rënë dukshëm, krahasuar me vitet e mëparshme.

Kurse si faktor intern, Gërxhaliu ka përmendur faktin se në Kosovë shkalla e papunësisë është në rritje e sipër, ashtu si dhe varfëria, e edhe masat shtrënguese që kanë ndërmarrë bankat, duke zvogëluar normat e interesit dhe duke mos zbritur normat e kamatave të kredive, të cilat ai i quan " sistem i palëvizshëm bankar”.

”Të gjitha këto janë arsye që kanë ndikuar në rënien e fuqisë blerëse të banesave në gjithë Kosovën, e posaçërisht në kryeqytet”, ka thënë ai.

E rënien e interesimit për të blerë banesa e konfirmojmë edhe vetë ndërtuesit.

"Shitje ka, por probleme në shitjet e tyre po ka mjaft”, kanë thënë përgjegjës nga sektori i ndërtimit dhe shitjes në ndërmarrjen "Lesna”, duke kërkuar që të mos identifikohet me emër në gazetë.

Përgjegjës në kjo ndërmarrje, e cila ndërtuar objekte kolektive gjithë andej nëpër Prishtinë dhe periferi të saj, pohojnë se "kriza tashmë po vërehet me të madhe”, duke mos dashur të përmend shifra dhe statistika rreth shitblerjes së banesave.

"Realisht kërkesa ka ende, por jo me fluksin e mëhershëm”, ka thënë njëra nga përgjegjëset e sektorit të shitjes në "Lesna”, e cila edhe aktualisht gjithkah po reklamon shitje të banesave luksoze në dalje të kryeqytetit.

E qytetarët kanë halle të tjera, ata shprehen të zhgënjyer me kontratat që po u ofrojnë ndërtuesi e banesave kolektive.

A.L, ka paguar mbi 600 euro metrin katrorë për një banesë 3 dhomëshe në lagjen "Mati 1” në kryeqytet. Ai thotë se kishte bërë kontratë me njërën nga kompanitë private për ndërtim, së cilës ai nuk dëshiron t’ia përmend emrin, me premtimin se do t’i merrte "çelësat në dorë” pas pesë muajsh.

Edhe pse në kontratë i kishte shkruar ashtu, atij i kishte dalë ndryshe. Ishte detyruar të priste plotë 10 muaj derisa punimet të mbaronin plotësisht.

"Unë kam dëgjuar se ka vonesa, por kur e kam përjetuar edhe vetë e them me plot përgjegjësi se s’ka kompani në Kosovë që e mban fjalën. Të gjithë ata që paguajnë para se të ndërtohen objektet presin më gjatë se sa u thuhet”, ka theksuar ai.

E këto sipas tij, nuk janë problemet e vetme me të cilat po ballafaqohet blerësit e banesave private kolektive.

Komuna e Prishtinës deri më tani ka legalizuar 20 nga objektet e shumta kolektive që janë ndërtuar që nga paslufta në kryeqytet.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus