Kryesore » 2012 » Qershor » 6 » Berisha: Jemi Kina e vogël, kemi edhe Himalajat e Europës
11:41 PM
Berisha: Jemi Kina e vogël, kemi edhe Himalajat e Europës
Berisha u tha investitorëve se Bulqiza ka akoma edhe gjysmën e mineraleve pa shfrytëzuar. Ai deklaroi se vendi ynë ka fushën më të madhe të naftës në kontinentin e Evropës me 6 miliardë fuçi naftë
Kryeministri Berisha shtroi të martën në mbrëmje, në mjediset e Pallatit të Brigadave, një pritje në nderim të pjesëmarrësve në Konferencën e dytë ekonomike që do të zhvillohet nesër në Tiranë, organizuar nga Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), në bashkëpunim me Bankën Islamike për Zhvillim (Islamic Development Bank- IDB). Të pranishëm ishin përfaqësues biznesesh nga 30 vende anëtare të Bankës Islamike për Zhvillim, 15 funksionarë të ndryshëm të kësaj Banke, Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Financiare Islamike për zhvillimin e sektorit privat, zoti Al Aboodi, etj.Duke folur para tyre, Berisha tha se Shqipëria është vend i vogël me potenciale të mëdha.
"Në të gjithë vendin janë në ndërtim 100 hidrocentrale, 227 të tjerë do t’i jepen me koncension sektorit privat dhe janë duke pritur për investitorë. Ka 123 hidrocentrale që po presin të kalojnë në proces tenderimi. Ky vend ka çdo potencial për t’u bërë një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Ne besojmë se rruga më e mirë është të vazhdojmë në këtë mënyrë koncesionare dhe partneritetet publike private,” tha Berisha.
Kryeministri tha se në Shqipëri janë Himalajat e Europës."Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Zona të tëra të bregdetit, nga më të bukurat, janë të virgjra dhe presin investitorë. Prej vitit 2004 deri më tani, numri i turistëve dhe vizitorëve është rritur 13 herë. Më shumë se 92% e bregdetit pret të zhvillohet. Shqipëria është vendi më malor në Evropë. Malet e saj janë të virgjëra, me peizazhe të mrekullueshme. Për to janë shkruar shumë artikuj dhe Bjeshkët e Namuna të Veriut po i quajnë Himalajet e Evropës. Nuk kanë aspak lartësinë e Everestit, por misticizmi i tyre, peizazhet e tyre, janë shumë mbresëlënëse.”

Berisha tha se në Bulqizë është akoma pa shfrytëzuar gjysma e kromit. "Vendi është shumë i pasur në minerale. Përpara disa muajve, pata në zyrën time një takim me ish-Presidentin e Rio Tinto-s, i cili kishte qëndruar tre muaj në Bulqizë. Ai më tha se atje ishin nxjerrë 20 milionë ton krom dhe se ka ende 20 milionë të tjerë për t’u nxjerr. Bulqiza është ende një rezervë botërore kromi, të një cilësie shumë të mirë. Vendi është i pasur në nikel, hekur, bakër, etj. dhe gjatë viteve të fundit në vendin tonë është gjetur platinium dhe ar.”

Kryeministri tha se Shqipëria është e pasur me naftë.

"Shqipëria, mund t’ju vijë si befasi, por ka fushën më të madhe të naftës në kontinentin e Evropës, 6 miliardë fuçi naftë. Ka qenë një vend i pasur në gaz dhe së shpejti do të jetë i tillë. Albpetroli është publikuar në mediat ndërkombëtare për privatizim dhe interesi për të është i lartë. Kompani të mëdha po punojnë në këtë vend, midis të cilave Shell, e cila u largua përpara disa viteve dhe u kthye me shumë shpresë, bazuar në të dhëna të reja. Një muaj më parë isha në Itali, ku u prezantova investitorëve italianë potencialet e Shqipërisë. Ditën tjetër, mediat publikuan artikuj me germa të mëdha: Kina e vogël e Evropës. Ata kishin të drejtë. Nëse shohim tregun e punës, është një nga më të mirët që ekzistojnë, është i ri, dinamik, i mirë – edukuar, punëtor. Vendi gjithashtu, ndodhet në zemër të tregut më të madh botëror, tregut evropian. Prandaj unë besoj se çdo sipërmarrës ka shumë arsye për të investuar në këtë vend dhe ju siguroj se vendi im do të bëjë çdo përpjekje, do të sigurojë çdo mbështetje për të krijuar një histori suksesi për këdo që do të vendosë ëndrrat e tij, ose të saja, në këtë vend”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus