Kryesore » 2012»Janar»28 » Berisha “formaton” PD-në, ndryshojnë grupet e punës
8:55 AM
Berisha “formaton” PD-në, ndryshojnë grupet e punës
Tre vite pas ngritjes së grupeve të punës në 12 qarqet e vendit, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur ti ndryshojë për shkak të disa ankesave të deputetëve, por edhe simpatizantëve të PD-së në zona të ndryshme elektorale. Burime pranë tij bëjnë të ditur për "Gazeta Shqiptare” se z.Berisha ka vendour të ndryshojë kreun e grupit të qarkut të Vlorës, që aktualisht është nënkryetari demokrat Astrit Patozi.Mësohet se ai do të dërgohet në vend të Genc Pollos në Berat ndërkohë që ky i fundit do të zhvendoset në një tjetër qark, në atë të Gjirokastrës nga i cili zhvendoset drejt Vlorës, kreu tjetër i grupit z.Genc Ruli. Po ashtu Kryeministri pritet të lëvizë edhe krerët e grupeve të qarkut të Elbasanit, pikërisht Arben Imamin për ta çuar në Durrës i cili ndërrohet me ministrin e Drejtësisë, Eduart Halimi. Po ashtu ndryshime Berisha do të bëjë edhe në qarqet e veriut pikërisht në Kukës prej nga ku do të largohet deputeti Flamur Noka për ta kaluar në Dibër në vend të Jemin Gjanës, i cili e rikthehet në zonën e mëparshme. Të pandryshuar do të jenë nënkryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në qarkun e Shkodrës, Ridvan Bode në Korçë, Edi Paloka në Lezhë dhe Aldo Bumçi në Tiranë. Disa javë më parë në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së pa praninë e mediave deputeti i qarkut të Vlorës Leonard Demi është ankuar se emërimet në drejtoritë në rrethe bëhen në mënyrë jotransparente. Sipas tij pakënaqësitë vijnë për shkak se nuk po bëhet punë e mirë nga ana e krerëve të grupeve edhe se këto emërime bëhen pa dijeninë e deputetit. Ankesa e tij erdhi pasi Kryeministri Sali Berisha u kërkoi deputetëve të dalin në zonat e tyre për të shpjeguar përfitimet nga ana ekonomike e mbjelljes së arrorëve. Pas tij ka folur deputeti Demi, i cili është shprehur se "lidhur me këtë proces mund të ketë abuzime për shkak të një lidhjeje të fortë mes kryetarëve të grupeve të punës dhe kryetarëve të PD-së nëpër rrethe. Kjo lidhje mes tyre nuk u jep aspak hapësirë deputetëve. Përgjithësisht kjo marrëdhënie ka ecur mirë, por në disa raste ka munguar transparenca e emërimeve”.
Menjëherë pas tij ka folur Kryeministri Berisha, i cili e ka mbështetur parimisht shqetësimin e deputetit të Sarandës. "Unë e kam hedhur si ide edhe më parë dhe mund të ketë ndryshime të kryetarëve të grupeve të punës për shkak se ata kanë drejtuar grupet në dy palë zgjedhje, në 2009-n dhe 2011- n”, është shprehur Kryeministri Berisha. Pak ditë më pas në një intervistë, deputeti tjetër i PD-së Fatos Hoxha mbështet Leonard Demin sa i përket skemës së kësaj force politike me kryetarë të grupeve të punës nëpër rrethe. Në një intervistë ai u shpreh se kjo lidhje e shkurtër që është krijuar mes "kryedeputetëve” dhe të zgjedhurve të partisë në rrethe është antipërgjegjshmëri, është klienteliste, nepotike dhe në disa raste korruptive. "Pavarësisht se kush është kryetar i grupit të punës, sado i aftë të jetë ai, në mënyrë që grupet e punës të funksionojnë siç duhet, është i nevojshëm përcaktimi i rregullave dhe kompetencave të qarta. Në të kundërt, rrezikohet të kthehemi në një situatë ku një person kthehet në ‘vetë Ali dhe vetë kadi’”, deklaroi z.Fatos Hoxha
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus