Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë një nga temat që sot ka nxitur përplasje midis kryeministrit Sali Berisha dhe Aleancës Kuq e Zi. Kryeministri shqiptar Sali Berisha deklaroi sot se Shqipëria dhe Kosova një ditë mund të bashkohen vetëm në BE. Ai këtë e deklaroi në një takim me studentët, i pyetur në lidhje me mundësinë që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen një ditë në një shtet të vetëm.Duke theksuar se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarëve, kryeministri Berisha tha se ndryshimi i kufijve ekzistues rrezikon humbjen e territoreve. "Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Ne jemi një popull i ndarë në mënyrë të padrejtë. Copëtimi i shqiptarëve është një nga aktet më të padrejtë që u është bërë shqiptarëve, por fatmirësisht u korrigjua me çlirimin e Kosovës. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të rrezikojmë humbjen e territoreve”,- deklaroi Berisha. Më tej shefi i qeverisë shqiptare theksoi se "çdo brez bën detyrat e tij dhe ky brez i ka bërë. Nuk ka një mrekulli më të madhe për ne se sa pavarësia e Kosovës. Me pavarësinë e Kosovës kurorëzon përpjekjet e shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin”. Por kundër deklaratës së Berishës ka dalur menjëherë Aleanca Kuq e Zi, e cila ka shprehur keqardhje për deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili u shpreh kundër bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm. Aleanca Kuq e Zi nënvizoi se bashkimin e shqiptarëve e vendosin vetë shqiptarët dhe jo kryeministrat. "Kohën e bashkimit e vendosin shqiptarët, jo kryeministrat. Parimi i vetëvendosjes është për popullin, jo për qeveritë.Shqiptarët janë një komb dhe kanë një të ardhme”,- përfundon deklarata e Aleancës Kuq e Zi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus