Kryesore » 2012 » Gusht » 10 » Beqiri: LDK për PDK-në është Akademi
12:43 PM
Beqiri: LDK për PDK-në është Akademi
Deklarata e kryeministrit, Hashim Thaçi se nuk merret me investigimin e asnjë personaliteti dhe vlerësimit të tij se atyre u duhet ende kohë dhe pjekuri politike, ka ngjallur reagime tek lëvizja "Vetëvendosje” ndërsa LDK dhe AAK thonë se tashmë janë mësuar me fjalorin denigrues të kryeministrit. Drejtuesit e LDK-së thonë se partia e tyre është akademi për PDK-në, Vetëvendosje e vlerëson se ky kryeministër nuk ka kurrfarë kredibiliteti as moral e as politik, ndërsa AAK-ja deklaratën e Thaçit e vlerëson si të pamatur.Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë për Kosovapress se në qoftë se kryeministri ka folur për LDK-në, kjo parti për PDK-në është akademi.

"Pa u dashur me lëshuar në atë çfarë ka thënë ai mund të them me kompetencë të plotë se nëse ka menduar për LDK-në ata që e udhëheqin LDK-në, LDK-ja karshi PDK-së, besa edhe shumë të tjerave, është akademi politike. Po ashtu, ku mund të marrin mësim në këtë rast edhe PDK-ja. Si kundër që mund të thuhet se zotëri Mustafa mund të shihet lider, po ashtu edhe për pjekuri politike dhe të tjera është edhe akademik dhe sigurisht zotëri Thaçi i duhet ende kohë për të mbërritur këto nivele politike dhe ka dallim të madh mes akademisë politike ose të them në mënyrë figurative mes universitetit dhe shkollës fillore”, ka thënë Beqiri.

Ai deklaratën e kryeministrit Thaçi nuk e quan fyerje, pasi, sipas tij, për Thaçin është normale dhe nuk është hera e parë që me kësi fjalori denigrues u drejtohet të tjerëve.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë për Kosovapress, se nuk i ka marr si fyerje, pasi që ka vlerësuar se ky kryeministër nuk ka kredibilitet as politik e as moral.

"Së pari duhet të them për sa i përket personit i cili është kryeministër dhe unë tash po merrem me personalitetin e tij nga ai është vështirë të fyhet dikush për shkak se nuk ka kurrfarë kredibiliteti as moral e as politik për ta pasur aftësinë për të fyer dikë. Rrjedhimisht ne nuk i marrim fyerje në asnjë mënyrë, por për sa i përket pjekurisë politik unë kisha dashur shkurtimisht një renditje të asaj të veprimeve të tij politike të kinse ai paska dëshmuar që është i pjekur politikisht”, ka deklaruar Ymeri.

Ai ka thënë se para fillimit të kësaj legjislature ka ndodhur vjedhja masive e votave kryesisht nga partia e tij dhe Hashim Thaçi, mëpastaj nisja e dialogut me Serbinë i cili i prodhoi të gjitha ato marrëveshje të dëmshme për Kosovën, heqja e termi republikë nga emërtimi i Kosovës dhe pranimi i fusnotës me rezolutën 1244.

Po ashtu, Ymeri ka thënë se paska qenë maturi politike arritja e një marrëveshje të dëmshme për menaxhimin e kontrolluar të kufijve të përbashkët me Serbinë gjë që rezultoi me arrestimin e shumë shqiptarëve në territorin e Serbisë, praktikë kjo e Serbisë që po vazhdon edhe sot.

Ai kryeministrin e vendit, me këtë maturi politike, e vlerëson si të rrezikshëm për Kosovën.

"Të gjitha këto elemente që i përmenda tregojnë se çfarë maturie politike dhe çfarë vizioni e dije politike ka ky njeri që flet për të tjerët, ndërkohë që zhvillimet e fundit tregojnë që jo që nuk ka maturi politike, por që qenia e tij politike për vendin është shumë e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë për Kosovapress se është një deklaratë e pa matur për secilin që komenton nivelet personale të liderëve politik, duke shtuar se duhet të merren konceptet politike me koncepte qeverisëse dhe jo me aspektet personale të liderëve.

Ai ka shprehur besimin se kjo qeverisje është dëshmuar si e pa koncept dhe e paaftë për qeverisje të mirë të vendit, prandaj, sipas tij, në secilin moment zyrtarët e qeverisë, duke përfshirë edhe kryeministrin tentojnë që debatin të bëjnë personal dhe jo konceptual.

"Nuk besoj se është fyerje dhe duhet të merret si fyerje për shkak se thonë se fyeri të fyen, por e vërteta është se nuk ka aftësi dhe nivel të edukimit për të kaluar në debat për çështje konceptuale dhe si pasoj e kësaj zotëri Thaçi gjithmonë tenton ta kthej debatin në çështje personale në mënyrë që të mjegulloj edhe më tutje opinionin publik”, ka thënë Ramadani.

Kryeministri në një intervistë për gazetën Kosova Sot ka thënë se nuk merret me biografitë personale të askujt, ndërsa ka thënë se disave u duhet ende pjekuri politike.

"Unë nuk merrem me investigimin e asnjë personaliteti. Atë që kam për të thënë për konceptet politike, e them në parlament dhe kudo, prandaj nuk kam çka të fsheh për askënd, asgjë, por realisht i kam kursyer dhe do t’i kursej ende, sepse po e shoh që u duhet kohë për pjekuri politike. Unë nuk merrem me biografi personale të askujt”, ka thënë ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus