Entuziazmi për perspektivën evropiane në Prishtinë po shkon çdo herë e më shumë drejt zbehjes, jo vetëm te qytetarët, por edhe te zyrtarët qeveritarë. Dialogu për liberalizim vizash me Kosovën, Brukseli e nisi si një premtim të mbajtur për definimin e kësaj perspektive, por sharra ka hasur në gozhdë, pasi Prishtinës jo vetëm që nuk po i definohet rruga, por kushtet vetëm sa i shtohen dhe fuqizohen.Pas disa shtyrjeve më datën 30 maj ka shumë mundësi që të vendoset rreth listës së kushteve të cilat BE pret që Kosova t’i plotësojë për të pasur mundësi udhëtimi pa viza në vendet e zonës shengen. Në Qeverinë e Kosovës nuk preferojnë të flasin publikisht për këtë temë, megjithëse jozyrtarisht e pranojnë që zhgënjimi është shumë i madh me diskutimet që po bëhen për këtë temë mes Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së. Njëherë disa shtete në krye të të cilave ishte Franca, kërkonte që jo vetëm kushtet për Kosovën të jenë shumë më të rënda, por udhërrëfyesi i Kosovës të ndahet në dy faza.
"Zëri” ka mësuar nga burime qeveritare të Kosovës, se ndarja e udhërrëfyesit nuk është më opsion, por ai padyshim që do jetë shumë më i rëndë sesa kushtet e vëna për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
"Më datën 30 maj është takimi i fundit në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Aty pritet të merret vendimi për udhërrëfyesin, përkatësisht për datën kur do dorëzohet ai. Përfundimisht do jetë njëfazor, por më shumë kushte se për vendet e rajonet”, thotë njëri nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që po merret me këtë çështje.
Qeveritarët kosovarë megjithëse e pranojnë që dikush nga vendet anëtare po mundohet patjetër dialogun e vizave ta bëjë sa më të vështirë për Kosovën, e përsërisin disa herë se "fuqizimi” i kushteve është OK pasi ata edhe ashtu shumicën e tyre i kanë plotësuar.
Sidoqoftë, ky zyrtar ka thënë se udhërrëfyesi nuk do të dorëzohet para mesit të qershorit, që i bie se edhe një shtyrje e radhës tashmë është bërë.
"Ministrja Vlora Çitaku do të kthehet në Bruksel edhe njëherë në mesin e qershorit kur pritet t’i dorëzohet lista e kushteve për dialogun e vizave. Ministrja atë kohë do marrë me vete edhe katër kryetarë komunash nga të gjitha partitë politike”, i ka thënë gazetës ky zyrtar.
BE, me Kosovën "njëjtë” si me tjerët
Në Bruksel nuk preferojnë të komentojnë draft-versionet e udhërrëfyesit që kanë "rrjedhur” në gazetën "Zëri”. Dy versionet e deritashme deri më tash kanë shkuar shumë larg në shtrëngimin e gjërave që Kosova të arrijë deri te liberalizimi i vizave.
Përpos një gjuhë të ashpër politike dhe një disbalanc të madh mes kushteve për vendet e rajonet dhe atyre që po propozohen për Kosovën, terme që janë përdorur për vendet e tjera, nuk përdoren për shtetin kosovar, duke u munduar ta bëjnë sa më neutral ndaj statusit politik.
Tove Ernst, zëdhënësja e komisionares Cecilia Malmstrom, e cila e nisi zyrtarisht dialogun për vizat me Kosovën në janar të këtij viti, i ka thënë "Zërit” përmes postës elektronike, se Kosova nuk po trajtohet më keq se vendet tjera.
"Në rastin e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dialogu për vizat është lansuar në janar - shkurt 2008, ndërsa udhërrëfyesit janë dorëzuar në periudhën e vonshme të majit apo qershorit 2008. Në rastin e Kosovës, dialogu është lansuar më 19 janar 2012, ndërsa udhërrëfyesi do të dorëzohet para fundit të pranverës. Shkurtimisht, kjo i bie që për Kosovën duhet e njëjta kohë si për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka vlerësuar Ernst.
Mirëpo, ajo që zëdhënësja e Malmstrom e harron është se nëse muajt janë të njëjtë, vitet mes kohës kur kjo mundësi i është ofruar vendeve tjera dhe koha kur po i ofrohet Kosovës ka dallim hiq më pak se 4 vjet.
Zëdhënësja e komisionares për çështje të brendshme të Komisionit Evropian gjithashtu bën një vlerësim të gabuar edhe për terminologjinë ndryshe që po planifikohet të përdoret në rastin e Kosovës.
Javë më parë "Zëri” ka raportuar për kërkesën e plotësuar të Qipros, që në udhërrëfyesin për Kosovën të hiqet fare termi "pasaportë” pasi Kosova për BE nuk është shtet i pavarur. Në vend të kësaj Brukseli është pajtuar që të përdorë vetëm termin "dokument i udhëtimit”, formë se si janë quajtur dokumentet e kosovarëve para shpalljes së pavarësisë.
"Sa i përket përdorimit të termit "dokument i udhëtimit” në vend të pasaportë, të gjitha udhërrëfyesit e vendeve të Ballkanit i referoheshin kësaj çështjeje si "dokumentet biometrike të udhëtimit” pasi ky është termi teknik që përdoret në dokumentet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) dhe legjislacionin e BE-së”, ka sqaruar zëdhënësja e Malmstrom.
Mirëpo, siç shihet edhe në foton ilustruese të këtij teksti, udhërrëfyesi për Bosnjën përmbante edhe termin "pasaportë” ndryshe nga rasti i Kosovës, ku pasaporta nuk përmendet në asnjë pjesë të dokumentit.
BE po i humb Kosovës kohën
Njëri nga ekspertët më të spikatur të çështjeve që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian vlerëson se e gjitha që Brukseli ka bërë me Kosovën për çështjen e vizave ka qenë humbja e kohës.
Shenoll Muharremi, që vite më parë ka qenë edhe udhëheqës i Zyrës për integrime evropiane në Qeverinë e Kosovës, vlerëson se kjo e fundit ka harxhuar energji kot pasi fokusi në këtë çështje në vend të reformave është përqendruar diku tjetër.
"Qindra deklarata janë dhënë për udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave gjatë katër vjetëve të fundit! Nëse ky udhërrëfyes t’u jepej institucioneve të Kosovës, shumë energji do të ruhej për përpjekje më racionale. Në fakt, në vend që fokusi të ishte në implementimin e reformave, diskutimet kryesore gjatë viteve të fundit kanë të bëjnë me atë se kur, nëse, kush në lidhje me udhërrëfyesin. Shpresoj që kjo të ndryshojë së shpejti, këtë pranverë”, vlerëson Muharremi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus