Kryesore » 2011 » Dhjetor » 20 » Bashota lë pa ujë katundin e tij
3:17 PM
Bashota lë pa ujë katundin e tij
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka anuluar tenderin e Komunës së Klinës për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Cerravik të komunës së Klinës, për shkak të shkeljes së Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Këtë tender në vlerë prej më shumë se 218 mijë euro për ndërtimin e ujësjellësit për katundin e kryetarit të komunës Sokol Bashota, Komuna ia kishte dhënë kompanisë "Arhiko Ing”, por pas ankesës së kompanisë "Haxha Kom”, OSHP-ja ka urdhëruar Komunën e Klinës që këtë tender ta rikthejë në rivlerësim.Në vendimin e OSHP-së thuhet se operatori "Haxha Kom” nga Klina, si palë e pakënaqur ka parashtruar ankesë në OSHP, kundër njoftimit për dhënie të tenderit duke pretenduar se Komuna e Klinës ka bërë shkelje të nenit 54 të LPP-së.
Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, Komuna e Klinës ka bërë shkelje duke e dërguar letrën standarde për tenderuesin e eliminuar tek pas shpalljes së fituesit të tenderit në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Por, në anën tjetër, eksperti shqyrtues i prokurimit gjatë shqyrtimit të lëndës ka konstatuar se dallimi mes çmimit të kompanisë që i është dhënë tenderi dhe asaj që ka bërë ankesën në OSHP është rreth 10 mijë euro e që nga Komuna është konsideruar si çmim jonormal, ndërkaq kompania "Alfa I” që ka ofruar me 204 mijë euro, nga zyra e prokurimit të kësaj komune është cilësuar si i papërgjegjshëm.

Më tej eksperti shqyrtues i prokurimit ka thënë se Komuna e Klinës ka vazhduar garën me tri kompani, por tri kompani të tjera ka eliminuar pa të drejtë nga procesi i prokurimit, pasi që nuk kanë përmbushur kriteret e dosjes së tenderit.

"Arsyeja pse kam rekomanduar anulimin e tenderit është se Komuna e Klinës me rastin e ndryshimit të kërkesave të dosjes së tenderit është dashur që të gjithë operatorëve ekonomikë t’u japë afat për plotësime, sqarime së paku 10 ditë e jo dy ditë sa ka vepruar në rastin konkret”, thuhet në vlerësimin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së.

Në fund pas shqyrtimit të gjithë dosjes së tenderit paneli shqyrtues i OSHP-së ka vlerësuar se Komuna e Klinës ka shkelur nenin 54 të LPP-së. Sipas vlerësimit të panelit, Autoriteti kontraktues kurdo që e eliminon një kandidat duhet menjëherë ta njoftojë atë, ndërsa në rastin konkret Komuna e Klinës nuk e ka bërë një gjë të tillë.

"Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të lëndës ka konstatuar se Komuna e Klinës gjatë procesit të vlerësimit të ofertave nuk ka respektuar dispozitat e LPP-së në këtë aktivitet prokurimi sipas pretendimeve të operatorit ekonomik që ka bërë ankesë”, thuhet në fund të vendimit të OSHP-së.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus