Situata e rëndë në veri të Kosovës ndikon shumë në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe bisedimet për perspektivën evropiane të rajonit, vlerëson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në raportin e tij të ri për tremujore në Kosovë, i cili do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit për shqyrtim në mbledhjen e 8 shkurtit. Në këtë raport Ban ka shprehur kënaqësi për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe arritjen e marrëveshjeve, por edhe shqetësimet për shkak të progresit të ngadaltë në kthimin e të zhvendosurve dhe fatin e të pagjeturve."Shpresoj se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të forcojnë mesazhet e UNMIK-ut se është koha për guxim dhe pragmatizmin e nevojshëm për arritjen e paqes së përhershme dhe stabilitetit”, thekson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, raporton agjencia e lajmeve Presheva Jonë.Po ashtu, theksohet se mbetet e paqartë nëse referendumi për pranimin e institucioneve në veri të Kosovës do të mbahet. "Pjesërisht si pasojë e qëndrimit dhe veprimeve të Prishtinës, serbëve të Kosovës dhe Beogradit, situata në veri të Kosovës ende është e tensionuar dhe potencialisht jostabile, duke ndikuar shumë në diskursin e tashëm politik. Kjo, po ashtu, reflekton në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së si dhe bisedimet për perspektivën evropiane të rajonit”, vlerësoi Ban.
Ai përkujton se Qeveria e Serbisë hapur e kundërshton mbajtjen e referendumit të cilin e konsideron se është i panevojshëm dhe jashtë obligimeve kushtetuese të pushtetit lokal, si dhe disa serbë në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës. Në këtë aspekt përkujtohet që Këshilli Evropian më 9 dhjetor ka vendosur të shtyjë vendimin për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë për anëtarësim në BE për mars të vitit 2012, por disa vende këtë e kanë ndërlidhur me situatën në veri të Kosovës.
Ban, në raportin që mbulon periudhën nga 16 tetori 2011 deri më 15 janar 2012, ka përshëndetur edhe deklaratat e liderëve në Prishtinë për nevojën e vendosjes së komunikimit më të mirë me përfaqësuesit serbë në veri dhe zbatimin e Planit të Ahtisarit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus