Gjykata Supreme ka konfirmuar aktgjykimin për kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemaili, i cili ishte dënuar me 2.5 vjet burgim si shkaktar i aksidentit rrugor, më 21 maj 2009, ku kishte mbetur i vdekur një i ri. Sipas ligjit për qeverisje lokale, tani në Komunën e Ferizajt duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar.Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Makfire Gashi, i konfirmoi Gazetës Jeta në Kosovë se gjykata ka vërtetuar aktgjykimin për Xhemailin. "Gjykata Supreme ka vërtetuar dje, më 19 mars, gjykimin e shkallës së parë në të gjitha pikat e saj", tha Gashi. Xhemaili, kryetari i Ferizajt u gjet fajtor për thyerje të rregullave të komunikacionit që patën si pasojë vdekjen e 21-vjeçarit Labinot Rrustemi nga fshati Banullë e Lipjanit."Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar vendin dhe kohën e ndodhjes së aksidentit, pjesëmarrësit dhe pasojat e shkaktuara. Këto nuk vihen në dyshim dhe nuk kontestohen as në ankesa”, thuhet në vërtetimin e Supremes.Gjykata Supreme e Kosovës në Prishtinë, me kryetare të kolegjit, Valdete Daka, tha se sipas gjetjes së gjykatës së shkallës së parë, shkas i ndodhjes së aksidentit kanë qenë tejkalimi i veturës kombi nga Xhemaili duke rrezikuar komunikacionin.Supremja thekson se Xhemaili kishte marrë këtë veprim "pa u vërtetuar paraprakisht se mund ta bëjë, pa e rrezikuar komunikacionin [...] që për pasojë kanë pasur prekjen e pjesës së përparme të djathtë të kombit, humbjen e kontrollit mbi veturë dhe barturën - kalimin në rrugë në drejtim të kundërt ku ka ardhur, deri te goditja me automjetet e markës ”Daimler Benz 124” dhe "Ford Mondeo”, të cilat kanë qarkulluar nga drejtimi i kundërt".
Mbrojtja e të akuzuarit, në ankesën e tyre kanë thënë se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë, sepse janë anashkaluar dy faktorë të rëndësishëm që i kanë kontribuar ardhjes së aksidentit dhe është ‘marrë se vetëm një faktor - faktori njeri, në rastin konkret i akuzuari, kinse me lëshimet e tij ekskluzive, ka shkaktuar aksidentin e komunikacionit’.
Sipas nenit 56 të Ligjit për Qeverisjen Lokale, mandati i kryetarit të komunës përfundon në rast se me një vendim përfundimtar të gjykatës, kryetari privohet nga cilësia juridike. Ndërsa neni 11.2 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale parasheh që kryetari i komunës, të cilit i ka përfunduar mandati, zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në atë komunë.
Gazeta JnK ka provuar ta marrë një prononcim zyrtar nga drejtuesit e Komunës së Ferizajt, por ata kanë refuzuar. Ndërkohë, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Besim Zymberi, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtorët komunalë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus