Kryesore » 2012 » Maj » 21 » Azem Vllasi:Jam më i aftë për bisedimet me Serbinë
6:08 PM
Azem Vllasi:Jam më i aftë për bisedimet me Serbinë
Kosova ka nevojë të demonstrojë seriozitet si shtet. Ne si shtet dhe klasë politike më shumë po tregohemi të varur nga faktori ndërkombëtar sa që edhe vetë ndërkombëtarët kërkojnë nga ne. Neve na duhet ende ndihma e faktorit ndërkombëtar, mirëpo nuk është mirë që klasa jonë politike e mban veten në pozitë të varësisë më shumë se që ndërkombëtarët kërkojnë nga ne. Klasa politike kryesisht është e përkushtuar për veten e tyre. Prioritetet shoqërore në Kosovë shtrohen në atë mënyrë, që në rend të parë janë ambiciet personale të njerëzve të politikës. Prezenca në politikë është bërë edhe burim i shumë të mirave personale.

Çfarë rezultatesh priten nga dialogu Kosovë-Serbi?



Vllasi: Mjerisht nga dialogu me Serbinë nuk pres rezultate të rëndësishme. Nëse Serbia vazhdimisht përsërit se nuk e njeh shtetin e Kosovës, ajo nuk ka qëllim serioz që të rregullojë raportet me Kosovën, nëpërmjet dialogut. Qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes këtij dialogu të arrijë anëtarësimin në BE. Dhe, shihni pasi ka arritur këtë qëllim nuk i ngutet për kurrfarë vazhdimi të dialogut dhe arritjen e marrëveshjeve të tjera. Sepse, atëherë, deshi s`deshi, çështja e dialogut do të dalë si marrëveshje në mes të dy shteteve.

A mendoni se do të duhej të futej Mitrovica në dialog si temë diskutimi?



Vllasi: Nuk ka nevojë që Mitrovica të jetë temë diskutimi, sepse Mitrovica është Kosovë. Ajo është një çështje e brendshme e Kosovës, përderisa nuk shtrohet asnjë çështje e brendshme, asnjë pjesë e territorit, asnjë qytet i Serbisë, as Presheva, as Bujanoci, për ndonjë arsye në dialog nuk duhet as Mitrovica.

Por, pala kosovare duhet të dalë me një plan gjithëpërfshirës për integrimin gradual të Kosovës. Pra, në mungesë të këtij plani të brendshëm të Qeverisë së Kosovës, do të ketë iniciativa madje edhe presione nga Brukseli, që në dialog të diskutohet për pjesën veriore të Kosovës.


Çfarë do të duhej të ndërmerrte Qeveria në lidhje më Mitrovicën?



Vllasi: Unë po flas për atë plan gjithëpërfshirës dhe ajo nuk është ide e imja, por është ai për të cilin po insistojnë ndërkombëtarët që vazhdimisht theksojnë përbrenda kornizës së Planit të Ahtisaarit dhe përbrenda kushtetutës së Kosovës. Sipas mendimit tim, do të ishin pikënisje kryesore dy çështje, e para; me serbët e veriut që janë qytetarë, shtetas të Kosovës, të zhvillohet një dialog i brendshëm, ndërsa e dyta; t`u jepet garanci qytetarëve në atë pjesë të Kosovës që të bëhet një integrim gradual, në sistemin juridik të Kosovës, që ata ta kenë të sigurt se nuk do të humbnin sigurinë esenciale, bukën, rrogat etj.

A po mendoni se kjo frikë po i ndalon serbët?



Vllasi: Ta dini se kjo frikë dominon, frika për ekzistencë.



A është e nevojshme të ratifikohen në Kuvend marrëveshjet që janë arritur në dialogun Kosovë-Serbi?



Vllasi: Marrëveshjet të cilat kanë peshë esenciale politike dhe e prekin vetë emrin Kushtetues, pozitën kushtetuese të Kosovës dhe shtetësinë e saj, do të duhej të shkojnë për ratifikim në Kuvend.

Ndërsa çështja se a do të kalohet me letërnjoftime apo pasaporta, është çështje që mund të zgjidhet me biseda në mes të dy qeverive.



Cili është ndikimi i Serbisë në ecjen e Kosovës drejt BE-së?



Vllasi: Serbia në vazhdimësi ka pasur dhe ka ndikim negativ në afrimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në Serbi të gjithë janë të vetëdijshëm se Kosova është shtet. Por inercioni i vjetër i Millosheviqit ndaj Kosovës, ka mbetur në Serbi edhe tek kjo klasë e re politike.



Por cila është detyra jonë në këtë rast?



Vllasi : Detyra jonë është që një politike të tillë serbe t’i kundërvihemi me demonstrim të seriozitetit të brendshëm si shtet. Me forcimin e kapaciteteve të brendshme si shtet të arrijmë respektin ndërkombëtar. Në fund të fundit, ardhmëria e Kosovës nuk do të varej se çka bën dhe si bën Serbia kundër Kosovës.



Kur pritni që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës?



Vllasi : Pa kurrfarë pesimizmi të tepruar, para 30 vitesh nuk pres që Serbia të ndryshojë në kuptimin pozitiv qasjen ndaj Kosovës.



A do të pranonit të riktheheshit në skenën politike, pse jo si udhëheqës i dialogut Kosovë-Serbi?



Vllasi : Unë s`kam vullnet e as ndonjë ambicie për ndonjë pushtet operativ në Kosovë, ngase edhe kur kam qenë në pushtet, kam besuar dhe ende besoj që puna në pushtet dhe në politikë është puna për një kohë të caktuar, një ose dy mandate.

Por, çdo gjë që do të ishte në interes të Kosovës, një shërbim sado i vogël, konkretisht në këtë segment bisedat me Serbinë, rregullimet e raporteve me Serbinë, i kisha hyrë kësaj punë e nuk do ta kurseja veten.



Pra, e shihni veten si të denjë për këtë pozitë?



Vllasi : Për të thënë në një mënyrë, vetë kam thënë se për këtë punë e ndjej veten kompetent sepse raportet me Serbinë i di më mirë se çdokush tjetër, jo që jam më i mençur, por e kam kaluar historinë më specifike me Serbinë.



Prandaj besoni se do të mund të bënit më shumë sesa po bëhet tani?



Vllasi : Nuk do të bëja çudira as unë, e as askush tjetër, sidomos në dialog me Serbinë. Mos të përdori fjalor vulgar, ama me majmunllëçet e Serbisë është vështirë të merresh vesh për diçka, sepse pastaj nga ata mund të pritet krejt diçka ndryshe. Do të thotë se në biseda me ta, duhet një qasje specifike, duke pasur parasysh se edhe serbët hyjnë në dialog me një qellim.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus