Kryesore » 2012»Maj»2 » Avokati i Popullit i akuzon institucionet për "hakmarrje"
10:14 AM
Avokati i Popullit i akuzon institucionet për "hakmarrje"
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka fajësuar institucionet e vendit se ia kanë zvogëluar pagën si veprim hakmarrjeje ndaj reagimeve të fundit që janë bërë në lidhje me pakënaqësitë rreth shumës së pagave të pesë zëvendësve të tij. "Unë kam marrë pagën muajin e fundit sa të zëvendësve të mi, dhe ky shkurtim më është bërë në mënyrë arbitrare nga Qeveria, pas reagimeve që ne kemi bërë në lidhje me pakënaqësitë për pagat”, ka deklaruar Kurteshi, të martën, për "Kohën Ditore”. Ai ka bërë të ditur se pagën e fundit e ka marrë për afro 50 euro më pak, në krahasim me pagën e deritashme.
"Deri në muajin e fundit unë në konto i kam marrë 808 euro pagë, ndërsa herën e fundit kam marrë 760 euro, aq sa marrin edhe zëvendësit e mi”, ka pohuar Kurteshi, duke thënë se si dëshmi për këtë mund të ofrojë "letrat nga banka”.
Sipas tij, ky shkurtim është bërë në mënyrë arbitrare nga Qeveria, madje as pa e njoftuar fare për këtë.
Me gjithë përpjekjet, gazeta e ka pasur të pamundur kontaktin me zyrtarëve të Ministrisë së Financave. Megjithatë, Kurteshi ka insistuar se paga i është zbritur për shkak të reagimeve në lidhje me pakënaqësitë rreth shumës së pagave, e cila gjë do të duhej rregulluar me ligjin për pagat e zyrtarëve të lartë, i cili ende nuk ka kaluar as në Qeveri.
Avokati i Popullit, ndërkaq, ka njoftuar edhe për dërgimin e një reagimi publik në Kuvendin e Kosovës, që sërish lidhet me çështjen e pagave. Por ka të bëjë me
kundërshtimin e mënyrës se si janë sjellë deputetët e Komisionit për Buxhet me njërin nga zëvendësit e tij, Basri Berisha, gjatë një takimi ku po diskutohej kjo çështje.
Aty deputetët kanë kërkuar që Berisha të lëshonte takimin. Më i ashpër ndaj tij ka qenë nënkryetari i Komisionit, Naser Osmani, i cili deklaratat e Berishës i ka quajtur "pallavra”.
Tashti, Kurteshi thotë se arsyeja e vetme e dërgimit të këtij reagimi është për të treguar se institucioni i Avokatit të Popullit nuk e pranon këtë formë komunikimi me askënd, ndonëse ka shtuar se "nuk pres bash asgjë nga ky reagim”.
Sipas tij, fakti që Kuvendi nuk ia ka tërhequr as vërejtjen Osmanit, tregon se nuk do të bëjë punë kurrfarë reagimi.
"Mënyra se si deputeti Naser Osmani i është drejtuar zëvendësit të Avokatit të Popullit, duke i thënë ‘nuk dëshiroj të dëgjoj pallavra’, cenon dinjitetin e tij si përfaqësues i institucionit, dhe si individ. Një mënyrë e tillë komunikimi është në kundërshtim me normat elementare të mirësjelljes njerëzore dhe me etikën elementare që një person publik do të duhej të kishte, prandaj është krejtësisht e papranueshme dhe e patolerueshme për Institucionin e Avokatit të Popullit”, thuhet në këtë reagim.
Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, ka pohuar se Kryesia ka shqyrtuar reagimin e Ombudspersonit, në takimin e së hënës.
"Kryesia është vënë në dijeni për reagimin e rrjedhës së mbledhjes së Komisionit, por nuk është dhënë asnjë deklarim”, ka thënë Krasniqi.
Megjithatë, ai ka nënvizuar se Kryesia ka konstatuar se ndaj pagave të tyre është treguar një moskorrektësi.
"Por, sërish u propozua që ata të marrin pagat ashtu siç i parasheh Ligji aktual i Buxhetit”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas tij, është dalë me rekomandim që të kërkohet nga Qeveria procedimi sa më i shpejtë i Ligji për pagat e zyrtarëve të lartë. Në mungesë të këtij ligji, drejtues të Institucionit të Ombudspersonit kanë kërkuar që pagat e tyre të jenë sikurse ato të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, e cila arrin diku afro 1.300 euro.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus