Kryesore » 2012 » Prill » 17 » Autokrimet Hetojnë Manipulimet me Targa
1:13 AM
Autokrimet Hetojnë Manipulimet me Targa
Afro pesë mijë serbë kanë regjistruar veturat e tyre me targa të Kosovës. Për këto vetura nuk janë paguar taksat doganore. Njësiti i Auto Krimeve i Policisë së Kosovës dyshon se pronarët realë të veturave të regjistruara janë shqiptarët të cilët në aleancë me serbët i kanë ikur pagesës së taksës doganore duke dëmtuar buxhetin e Kosovës për miliona euro.
Qytetarë serbë e shqiptarë dyshohet se kanë lidhur aleancë për të keqpërdorur një vendim të Qeverisë së Kosovës. Ekzekutivi i vendit kishte menduar t’i joshte serbët e vendit për të regjistruar veturat e tyre me targa të Kosovës duke ia mundësuar importimin pa paguar taksat doganore. Por shumë nga ato dyshohet se kanë qenë vetura që janë importuar nga shqiptarët në Kosovë dhe janë regjistruar Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në emër të qytetarëve serbë. Ndonëse serbët kanë nënshkruar kontrata shitblerje, pronarët realë veturave janë shqiptarët.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj manipulimeve me targa që janë bërë nga tetori i vitit të kaluar.

"Të gjitha rastet e dyshuara për keqpërdorim nga ana e qytetareve janë duke u hetuar nga Njësia e Autokrimeve në kuadër të Policisë së Kosovës”, ka konfirmuar Merita Vidishiqi, zyrtare e lartë në kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Një hetim ndaj kë tyre rasteve e kanë kërkuar Doganat e Kosovës. "Doganat janë duke e trajtuar këtë çështje në koordinim me institucionet relevante”, ka thënë zëdhënësi Adriatik Stavileci i pyetur për hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj manipulimeve me targa të automjeteve.

Nëse do të paguheshin taksat doganore për afro 5 mijë vetura të regjistruara nga serbët gjatë kësaj periudhe, atëherë buxheti i vendit do të rritej për afro 10 milionë euro. Kjo pasi që mesatarja e zhdoganimit për një veturë në bazë të të dhënave të Doganave është rreth 2 mijë euro.

Ndërkohë bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme diku afro 5 mijë vetura janë regjistruar me targa të Kosovës nga ana e qytetarëve serbë prej kohës kur është marrë vendimi për heqjen e taksave doganore për serbët që pranojnë shtetësinë e Kosovës.

"Nga 1 nëntori 2011 deri më 10 prill 2012, numri i serbëve që janë pajisur me targa të Kosovës është: Me targa KS janë pajisur 1287 serbë ndërsa me targa RKS janë pajisur 3524 serbë”, ka deklaruar Vidishiqi.

Ky vendim është marrë më 13 tetor të vitit të kaluar. Ai lejon që të gjitha veturat e regjistruara në Kosovë me targa serbe prej 10 qershorit te vitit 1999 e deri me 31 tetor 2009 të regjistrohen me targa të Kosovës.
Vetëm për dy muaj kohë, prej 1 nëntorit të vitit të kaluar e deri më 31 dhjetor, sipas Vidishiqit, janë regjistruar 3 mijë e 134 vetura të qytetarëve serbë .

Serbët, sipas saj, janë të liruar vetëm nga pagesa e zhdoganimit të veturave por obligohen të paguajnë taksën administrative të regjistrimit, taksën rrugore , sigurimin e automjetit si dhe obligohen të bëjnë kontrollimin teknik.

Në Kosovë, sipas shënimeve të MPB-së, brenda një viti regjistrohen mbi 200 mijë vetura.

"Vetëm në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë, që është njëra ndër qendrat me numër më të madh të lëndëve, mesatarja e veturave të regjistruara brenda një muaji është 17.301”, ka deklaruar Vidishiqi. "Ndërsa gjatë tërë vitit 2011, numri i automjeteve të regjistruara në tërë Kosovën është 252610".

Veturat më të shpeshta të regjistruar në Kosovë, sipas saj, janë të tipit "Golf”, "Audi”, "BMW” dhe "Mercedes”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus