Behgjet Pacolli konsideron se është i pamoralshëm dhe qesharak qëndrimi i mëtejshëm i Atifete Jahjagës në Presidencë. Zëvendëskryeministri i Parë thotë se marrëveshja është e qartë dhe Presidentja aktuale duhet të lëshojë rrugë. Në një bisedë për Express, ai fton Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Christopher Dellin që t’i përmbahen marrëveshjes pikë për pikë. Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli nuk pajtohet që gruaja e cila ia "rrëmbeu” postin e të parit të Shtetit, Atifete Jahjaga, të qëndrojë në këtë pozitë më tepër se një vit. Në një intervistë të dhënë të hënën për Express, Pacolli e ka quajtur qesharake dhe të pamoralshme tendencën për të prishur marrëveshjen e arritur me Liderin e PDK’së, Hashim Thaçi dhe atë të LDK’së, Isa Mustafa për mbajtjen e zgjedhjeve të para presidenciale. "Çdo figurë politike që është paraqitur para qytetarëve për votë, ka përgjegjësi për të respektuar marrëveshjet dhe premtimet. Rasti me Presidenten, jo që është premtim, por është një marrëveshje e shkruar, e miratuar edhe në kuvend përmes një rezolute, përndryshe para qytetarëve do të dalim qesharakë dhe do të humbim besimin”, ka thënë Pacolli, të hënën, për Express. Ndërkohë që ka kërkuar përgjegjësi për respektimin e marrëveshjes, si nga Presidentja Atifete Jahjaga, ashtu edhe nga Ambasadori Christopher Dell, si palë ndërmjetësuese në tërë procesin. "Kjo marrëveshje e legjitimuar nga Kuvendi posedon edhe një palë tjetër, që është Ambasadori amerikan Dell, i cili nga atëherë ka marre përgjegjësinë që marrëveshja do të implementohet pikë për pikë. Çdo vonesë ose tentim vonese që të veprohet ndryshe në ketë drejtim, është e pamoralshme”, ka thënë Zëvendëskryeministri Pacolli.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus