Ish-komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi, duket se ka pasur arsye të forta që ka lënë jetën ushtarake, edhe pse një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij e kaloi në uniformë.Menjëherë pasi që u bë ambasador, ai i ka vendosur që rrugët e Shqipërisë t’i përshkojë me veturën më të re të markës BMW, dhe jo me atë të paraardhësit të tij, shkruan "Zëri”. Burime të "Zërit” nga kjo ambasadë kanë treguar se Selimi ka kërkuar që gjatë shërbimit si ambasador i Kosovës të ketë në dispozicion veturë të re, "më të fortë sesa shumica e ambasadorëve tjerë në Tiranë” "Ai kur ka ardhur në Tiranë, e ka pasur në dispozicion një veturë "BMW 5”, por nuk i ka pëlqyer. Nga fillimi i majit e ka thirrur në drekë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe gjatë drekës në restorantin ‘Grepi i Artë’, që është njëri ndër restorantet më në zë në Shqipëri, e ka shfaqur dëshirën që të ketë një veturë të re, e ka kërkuar decidivisht një BMW 7”, thotë ai. Ky zyrtar i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, thotë se personeli i MPJ-së nuk ia kanë "prishur qejfin”, ndërsa me procedurë të shpejtë ia kanë blerë atij veturën e preferuar, vlera e të cilit sillet rreth 50 mijë euro.
"Ambasadori ka dashur që të ketë veturë tepër luksoze... Në Tiranë vetëm ambasadori amerikan dhe ai i Turqisë i kanë veturat më të mira sesa ky”, rrëfen ai, duke thënë se edhe vetura e mëhershme vazhdon të mbetet në shërbim të ambasadës.
Mirëpo, zyrtarët e MPJ-së e kanë një arsyetim tjetër. Sipas tyre, MPJ ka qenë e obliguar që ta blejë një veturë të tillë, me qëllim që ta ketë në dispozicion gjatë takimeve të ndryshme që zyrtarët e MPJ-së kanë në Tiranë, me zyrtarë të vendeve të ndryshme perëndimore.
"Ajo është blerë për nevoja të ambasadës, jo të ambasadorit dhe është blerë për shkak se kemi fluks të madh të delegacioneve të Kosovës atje për shkak të aktiviteteve që ne i bëjmë në Tiranë. Ajo është në procedurë të blerjes, Komisioni ka qenë i formuar prej MPJ-së dhe janë duke i zhvilluar procedurat për blerjen e veturës”, thotë sekretari i MPJ-së, Nagip Skenderi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus