Isak Azemi dhe Kadrie Dinolli, nga Smira e Vitisë, akuzohen se kanë ngulfatur të birin e tyre 8-muajsh, derisa ishte në djep. Isaku tha para gjykatës se gruaja i kishte thënë se fëmija nuk është i tij, dhe "në ato momente e kam humbur vetëdijen”. Më pas, ai e ka akuzuar Kadrien se e ka përplasur foshnjën përtokë, se "është me nerva”. Avokati kërkoi që Isak Azemit t’i bëhet ekspertizë psikiatrike. Gjykata e Qarkut Gjilan ka konfirmuar aktakuzën ndaj Isak Azemit dhe Kadrie Dinollit, për veprën penale "vrasje e rëndë”. Dy bashkëshortët akuzohen se më 20 dhjetor 2011, rreth orës 19, në shtëpinë e tyre në fshatin Smirë, komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëveprim, e kanë privuar nga jeta fëmijën e tyre Agon Azemi, i moshës 8-muajshe.Sipas aktakuzës, Isaku e ka ngulfatur foshnjën, derisa ndodhej në djep, duke e shtrënguar në fyt fuqishëm, për rreth 10 minuta. Më pas, nëna e foshnjës, Kadria e ka marrë vogëlushin dhe e ka përplasur për dysheme. Si pasojë e ngufatjes dhe e lëndimeve të marra, foshnja vdes.
Sipas burimeve të Gazetës JnK, ekspertiza mjeko-ligjore ka treguar se foshnja e ka pasur kafkën e thyer.
Rastin e kishin lajmëruar në polici disa fqinj dhe të akuzuarit arrestohen.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Isak Azemi deklaroi se nuk e ndien veten fajtor për këtë vepër. "Gruaja më ka thënë se fëmija nuk është i yti, dhe në ato momente e kam humbur vetëdijen dhe nuk kam ditë se çka po ndodh”, u shpreh ai.
"Nuk është e vërtetë që unë e kam ngulfatur fëmijën tim, Agon Azemi, andaj i propozoj gjykatës që të mos konfirmojë aktakuzën”.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Isak Azemi, avokati Ymer Huruglica, tha se në cilësi të mbrojtësit ka marrë pjesë në të gjitha fazat e procedurës. "I mbrojturi im vazhdimisht ka paraqitur versione të ndryshme se si rezultat i çkafit ka ardhur deri te vdekja e fëmijës. Ai vazhdimisht është ankuar se nuk është në gjendje të mirë dhe se veprimet e tij nuk mund t’i kontrollojë”.
Ai kërkoi nga gjykata, që nëse aktakuza konfirmohet, i pandehuri Isak Azemi të dëgjohet përsëri nga eksperti psikiatrik.
Edhe e akuzuara Kadrie Dinolli, e ëma e fëmijës së vdekur, nuk e pranoi se e ka kryer veprën penale, duke shtuar se pas bisedës me kunatin e saj, ajo e ka mbuluar me çarçaf të bardhë fëmijën. "Djalin e ka ngulfatur qai që po fol”, u shpreh ajo, duke aluduar për bashkëshortin.
"Unë asnjë veprim nuk e kam ndërmarrë për me mbytë fëmijën tim. Këtë e ka bërë bashkëshorti im. Fëmija nuk ka vdekur vetë”, iu drejtua Kadria bashkëshortit të saj.
Ndërsa Azemi ia ktheu: "Fëmijën e ka përplasë përtokë. Kjo është me nerva”.
Mbrojtësi i Kadrie Dinollit, avokati Avdylaziz Sadiku, e përkrahu deklaratën e klientes së tij, duke kërkuar nga gjykata që aktakuza të mos konfirmohet.
Prokurori Arben Kadriu kërkoi nga gjykata që aktakuza të konfirmohet, sepse ka prova të mjaftueshme se të pandehurit janë kryes të veprës penale, e cila iu vihet në barrë.
Gjyqtari Avdullah Ahmeti mori aktvendim që të konfirmohet aktakuza ndaj të pandehurve Isak Azemi dhe Kadrie Dinolli, të cilët do të përgjigjen për "vrasje të rëndë”, sipas nenit 147, paragrafi 1, neni 1 lidhur me nenin 23.
Mediat kishin raportuar se disa orë para se foshnja të mbytej, në familjen Azemi në Smirë kishin qenë zyrtarë të Policisë dhe Qendrës Sociale në Viti. Të afërm, të tani të akuzuarve, i kishin lajmëruar se bashkëshortët ushtronin dhunë ndaj foshnjës dhe vajzës dyvjeçare.
Zyrtarët e kishin parë fëmijën në djep me hundë të gjakosura. Punëtorët socialë kishin bërë një raport, ku thuhej se kur kanë shkuar në shtëpinë e Isak Azemit, vajza dyvjeçare ishte duke ngrënë bukë, ndërsa djali ishte në djep duke pirë qumësht me shishe.
"Ne vërejtëm gjak në hundën e djalit, mirëpo nëna e tij deklaron se hunda i ishte vrarë kur ishte rrëzuar bashkë me të pasi ajo vuan nga epilepsia”, shkruan në raportin e punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale në Viti.
Të afërm të Isakut, iu kanë thënë mediave se burrë e grua nuk kanë qenë të aftë të mbajnë fëmijët dhe se kanë pasur shumë probleme. Një fqinje, pa dashur t’i publikohet emri në media, ka thënë se krahas gjendjes së rëndë ekonomike, ata kanë pasur edhe probleme mendore.
Vajza tani është marrë nën përkujdesjen e Qendrës Sociale në Viti. "Ajo u pshtu tash", u shpreh Kadrija, gjatë gjykimit, ndërsa tregoi se edhe vogëlushja dyvjeçare kishte qenë shpesh viktimë e dhunës së ushtruar nga babai.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus