Kryesore » 2012»Dhjetor»17 » AGPK kërkon distancimin e BIK-ut nga sulmi kundër "Kosova 2.0"
2:57 PM
AGPK kërkon distancimin e BIK-ut nga sulmi kundër "Kosova 2.0"
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim është njoftuar për detajet e sulmit të paprecedent, që grupe huliganësh kanë bërë ndaj konferencës ku do të promovohej numri i ri i revistës "Kosovo 2.0” dhe do të debatohej për seksin. AGPK iu bën thirrje Policisë së Kosovës dhe organeve tjera të drejtësisë, përfshirë EULEX-in, që sa më shpejt të zbardhin detajet e këtij sulmi të rëndë mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.Njëkohësisht, AGPK i bën thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës që të distancohet nga ky sulm, pjesë e të cilit ishin edhe anëtarët e saj.Udhëheqja e një sulmi të turpshëm nga një predikues fetar është e papranueshme dhe fyese. Në sulm ka marrë pjesë hoxhë Burim Dalipi, ndërkaq disa hoxhallarë të tjerë në predikimet e së premtes kanë bërë thirrje për dhunë kundër aktivitetit ku do të debatohej dhe promovohej numri i ri i një reviste.
AGPK kërkon nga klubet e futbollit dhe basketbollit "Prishtina” që të distancohen nga akti i shëmtuar, pjesë e të cilit ishin edhe pjesëtarë të tifozëve "Plisat”.
AGPK dënon ashpër dhe kërkon nga organet e drejtësisë që të adresohen me urgjencë kërcënimet me jetë ndaj kolegëve tanë në "Kosovo 2.0” dhe ttë pjesëmarrësve tjerë të konferencës.
Akte të tilla denigrojnë rëndë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes dhe janë sulm i drejtpërdrejtë kundër demokracisë në vend.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus