Në 14 vjetorin e rënies heroike të Adrian Krasniqit, presidentja e vendit Atifete Jahjaga e shpalli atë Hero të Kosovës. Pasi dekoroi heroin Krasniqi me urdhrin "Hero i Kosovës”, presidentja së bashku me bashkëpunëtorët dhe krerët e Kuvendit Komunal të Pejës, para lapidarit të tij në Pejë u përkul dhe vuri buqeta lulesh. Pas nderimit që iu bë heroit me një minutë heshtje, Jahjaga deklaroi arsyen e urdhëresës. "Unë, presidentja e Kosovës, kam dekoruar me urdhrin "Hero i Kosovës” Adrian Krasniqin për trimërinë dhe përkushtimin e treguar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe për flijimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, tha presidentja e vendit, duke e dekoruar me çmimin më të lartë institucional njërin nga çlirimtarët e orëve të para të UÇK-së. Duke thënë se heroi Krasniqi u rreshtua në vargun e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për çlirimin dhe përparimin e popullit, Jahjaga tha se ai dhe shumë heronj e dëshmorë të tjerë dhanë jetën e tyre që ne të jetojmë të lirë, të bëhemi shtet me të drejta të plota në BE dhe anëtar i NATO-s, me miqësi të përjetshme me SHBA-në. Kreu i Pejës, Ali Berisha, duke folur për jetën dhe veprën e heroit Krasniqi, tha se "data e 16 tetorit është datë që prek ndërgjegjen e njeriut tonë për të mbajtur në kurorën e kujtesës të gjithë heronjtë që ranë për lirinë që gëzojmë sot”. "Rrëfimi për luftën dhe rënien e Adrianit ngërthen në vete dramën e popullit të Kosovës në përpjekjet për liri”, tha Berisha. Bashkëluftëtari i Adrian Krasniqit, Rexhep Selimi tha se historia është histori e dëshmorëve, sepse ata ranë që ne të shkruajmë historinë për ta, që ne të jetojmë të lirë. "Heronjtë e kombit si Adriani, i nderojmë më se miri duke ruajtur lirinë për të cilën u flijuan ata. Veprat e tyre janë më të mëdha se sa Kosova, janë më të mëdha se sa Shqipëria, janë të mëdha sa është kombi ynë”, është shprehur Selimi. Në emër të familjes Krasniqi të pranishmit i përshëndeti Ilir Krasniqi, i cili tha se ky nder edhe ky çmim e bën familjen të ndihet krenare dhe të mos ndjejë dhimbjen. Adrian Krasniqi, apo komandant "Rexha”, siç e njihnin shokët e tij të luftës, u vra gjatë sulmit policor serb në fshatin Kliqinë të Pejës, në orët e para të mëngjesit të 16 tetorit të vitit 1997.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus