Kryesore » 2011 » Korrik » 2 » Absurd, numri i popullsisë i njëjtë me numrin e votuesve
5:28 PM
Absurd, numri i popullsisë i njëjtë me numrin e votuesve
Sipas statistikave zyrtare, 1.733.872 është numri i banorëve që jetojnë brenda vendit, duke përjashtuar pjesën veriore të Mitrovicës dhe diasporën. Por, 1.630.636 ishte numri në listat e votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit, pa përfshirjen e personave nën moshën 18 vjeç. Cila nga këto shifra mund të jetë e saktë? Njohës të procesit zgjedhor dhe të regjistrimit, japin vlerësime të ndryshme.A është i saktë numri i përgjithshëm i popullatës së Kosovës apo lista e votuesve për zgjedhjet e përgjithshme që janë mbajtur në fund të vitit të kaluar?! Këto dyshime janë ngritur pas publikimit të rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë. Njohës të këtij procesi japin vlerësime të ndryshme rreth kësaj çështjeje.Ish-ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, që ka qenë e përfshirë më herët në përgatitjet e procesit për regjistrimin e popullsisë së Kosovës, thotë se gabimi qëndron te numri i banorëve. Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Tërmkolli, tha se është absurde të mendohet që numri i banorëve të jetë pothuajse i njëjtë me numrin e përfshirë në listat e votuesve."Lista e votuesve mund të jetë e tillë, por regjistrimi nuk është ai që duhet të jetë, sepse numri i njëjtë me listat e votuesve ka dy arsye. Së pari, në rezultatet preliminare të regjistrimit nuk figurojnë qytetarët tanë që jetojnë jashtë, pastaj pjesa më e madhe e tyre nuk janë regjistruar, epo ashtu nuk janë regjistruar edhe një numër i madh i qytetarëve që jetojnë brenda. Prandaj, neve na del ky absurd - lista e votuesve del po thuajse e njëjtë me numrin e banorëve të përgjithshëm”, thotë Tërmkolli, njofton Radio Evropa e Lirë.Edhe Adnan Merovci, ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se procesi i regjistrimit ka sfidat e veta, por në listat e votuesve janë përfshirë edhe persona të vdekur. Sido që të jetë, numri i votuesve është dashur të jetë shumë më i vogël sesa numri i përgjithshëm i banorëve, thotë Merovci. "Por, në krejt këtë diskrepancë janë disa faktorë që kanë ndikuar, sipas mendimit tim. Fillimisht, regjistrimi nuk është realizuar në tërë Kosovën, emigrantët nuk janë përfshirë”, thekson Merovci.

Analisti Leon Malazogu, ndërkaq, thekson se edhe pse në listat e votuesve janë përfshirë vetëm personat mbi moshën 18 vjeç, kjo listë sipas tij, është e fryrë. Sipas tij, regjistrimi i popullsisë mund të ketë gabime të pjesshme, por megjithatë reflekton numrin e banorëve ekzistues në Kosovë, gjë të cilën nuk e pasqyron lista e votuesve. Në listën e votuesve janë përfshirë personat që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe persona të vdekur.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus