Kryesore » 2012 » Dhjetor » 19 » 30 mijë qytetarë të Kosovës pajisen me pasaporta serbe
3:25 PM
30 mijë qytetarë të Kosovës pajisen me pasaporta serbe
Më shumë se 33 mijë qytetarë të Kosovës, nga viti 2009 e deri në dhjetor të vitit 2012, janë pajisur me pasaporta të shtetit të Serbisë. Këto janë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat ka arritur t’i sigurojë gazeta "Zëri”. Sipas këtyre të dhënave, thuajse të gjithë aplikuesit për pasaporta serbe janë të nacionalitetit shqiptar."Kjo llogaritje përfshin kohën prejse Serbia ka përfituar liberalizmin e vizave nga Bashkimi Evropian, e deri më sot, pa llogaritur periudhën e mëparshme”, ka thënë për "Zërin”, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme në Beograd.Megjithatë, qëllimi i kosovarëve që me pasaporta serbe do të udhëtojnë pa viza, nuk mund të arrihet. Kjo për faktin se të gjithë ata që marrin pasaporta serbe, e në të cilat shkruhet adresa e ndonjë vendbanimi jashtë territorit të saj, në këtë rast adresa e ndonjë vendbanimi në Kosovë, nuk përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Fillimi i lëshimit të pasaportave biometrike serbe ka bërë që të ndryshohet edhe mënyra e dhënies së pasaportave për qytetarët e Kosovës.

"Derisa më herët Serbia për secilin qytet të Kosovës, ka pasur një degë nëpër qytetet e Serbisë, nga viti 2009, të gjithë ata që duan të marrin pasaporta serbe, duhet të shkojnë direkt në Beograd, ku edhe është një ndërtesë e veçantë e cila gjendet në rrugën "Ljermontova”, bën të ditur ky zyrtar.

I pyetur për marrëveshjen e Bashkimit Evropian dhe Serbisë kohë më parë, e cila ndalon Serbinë që të pajisë me pasaporta biometrike banorët e Kosovës, ky zyrtar thotë se pikërisht kjo marrëveshje ka bërë që Serbia të bëjë një qendër të veçantë për të gjithë kosovarët në Beograd, e cila i pajis ata me pasaporta, por meqë vendbanimi i tyre është në Kosovë, nuk mund të udhëtojnë pa viza.

"Ne vazhdojmë t’i konsiderojmë kosovarët banorë të Serbisë, prandaj nuk iu mohojmë të drejtën e pajisjes me dokumente serbe. Por ata nuk mund të udhëtojnë pa viza, për shkak se BE nuk e lejon këtë. Sidoqoftë, kosovarët me këto pasaporta mund të marrin vizat shumë më lehtë se me pasaportat e Kosovës”, tha ky zyrtar.

Ky veprim i kosovarëve, nga ana tjetër, kritikohet ashpër nga institucionet e Kosovës por edhe nga shoqëria civile.

Fisnik Rexhepi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë për "Zërin” se Qeveria e Kosovës nuk posedon të dhëna se sa qytetarë të Republikës së Kosovës janë pajisur me pasaporta të shtetit serb.

"Por padyshim që është për keqardhje fakti që qytetarë të Republikës së Kosovës aplikojnë për pasaporta të tilla, duke qenë se nuk përfitojnë as nga liberalizimi i vizave, të cilin BE-ja e aplikon në raport me Serbinë”, tha Rexhepi.

"Tashmë ne kemi identitetin tonë, kemi pasaportat tona dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen posa të plotësohen edhe kriteret e mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, shton Rexhepi.

Nga ana tjetër, Behxhet Shala, udhëheqës i Këshillit për Mborjtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, për këtë çështje fajëson më së shumti Brukselin zyrtar, që ka izoluar qytetarët kosovarë, të cilët tani kërkojnë shpëtimin diku tjetër.

Megjithatë Shala, nuk arsyeton veprimet e kosovarëve, pasi, sipas tij, duke marrë pasaporta serbe, ata marrin nënshtetësinë serbe dhe kështu po i mundësojnë Serbisë që të kenë argumente karshi BE-së, për të thënë se kosovarët janë qytetarë të Serbisë.

"Nuk i arsyetoj veprimet e kosovarëve, të cilët po bëjnë gabime të tilla, duke marrë pasaporta nga një shtet i cili në ndërkohë po bën përpjekje maksimale të të shkatërrojë ty si shtet”, tha Shala.

Gazeta është munduar të kontaktojë edhe me zyrtarë në BE, por nuk kanë kthyer përgjigjje.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus