Gjykata e Qarkut në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Idriz Hajrizin, i cili në nëntor të vitit të kaluar, e kishte vrarë me sëpatë vëllain e tij 64-vjeçar dhe trupin e tij, më pas, e kishte hedhur në pus. Aktakuza e Prokurorisë së Qarkut e ngarkonte Idriz Hajrizin se me 21 nëntor 2011, pas orës 20, në lagjen Dardania në Gjilan, me paramendim dhe me dashje, e kishte goditur tri herë me sëpatë në kokë, tani të ndjerin Sadri Hajrizin.Vrasjes i kishin parapritë disa mosmarrëveshjeve që kishin pasur mes vete dy vëllezërit, lidhur me pasurinë trashëgimore të pazgjidhur.Pasi e kishte mbytur, Idrizi 46-vjeçar ia kontrollon xhepat të vëllait të vdekur, ia merr 4.000 euro, një orë dore të markës "Armani", një telefon celular dhe çelësat e veturës. Më pas, ai ia vë në kokë një qese najlonit të zezë, e hedh në pusin e shtëpisë dhe ia mbyll kapakun pusit me qëllim që ta fshehë veprën penale.
Tri ditë më pas, policia e zbulon rastin dhe e arreston të dyshuarin.
Fahrije Hajrizi, bashkëshortja e tani të ndjerit, kishte deklaruar në prokurori se nga Gjermania, ku jetonin, e kishte thirrur bashkëshortin në telefon, por ai nuk i përgjigjej. Për këtë arsye, ajo kishte kërkuar nga djali i vëllait të saj, L. B. që të shkojë deri në shtëpi, për të parë se mos ka ndodhur ndonjë gjë e keqe.
Vetë L. B. në prokurori kishte deklaruar se me kërkesën e Fahrijes kishte shkuar te shtëpia e tani të ndjerit. Pasi kishte trokitur në derë dhe askush s’ishte përgjigjur dhe dera ishte e mbyllur, ai kishte lajmëruar policinë. Policët, pas arritjes, ishin futur me forcë në shtëpi dhe brenda kishin vërejtur gjurmë gjaku.
Dëshmitari F. J. ka treguar se me datën 24 nëntor 2011, në orët e vona të mbrëmjes në afërsi të Bankës "Pro Credit " ka takuar tani të akuzuarin Idriz Hajrizin, i cili i kishte thënë: "E kam mbytur vëllaun tim”. Por, ka thënë se nuk i ka besuar pasi ai ishte një njeri joserioz dhe kishte besuar se nuk ia vlente të merrej me të.
Gjyqtari Vlastimir Dimiq e ka shpallur fajtor Idrizin Hajrizin për veprën penale "Vrasje e rëndë”, e paraparë me neni 147, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).
Prokurori Afrim Shefkiu dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramadan Leka, paralajmëruan ankesë kundër aktgjykimit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus