Derisa rritjen ekonomike prej 7-8 %, tash për tash është vetëm dëshirë, edhe rritjen ekonomike prej 5.5 %, të cilën më në fund e pranoi për "Zërin” ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, eksperti i çështje ekonomike, Bekim Marmullaku e sheh të pamundur. Në një intervistë për "Zërin”, Marmullaku ka vlerësuar se proklamimet e tilla, pa pasur parametrat e duhur janë injorancë e demagogji. Ky ekspert i çështjeve ekonomike, duke folur për humbjen e milionave nga prishja e marrëveshjes së Qeverisë me FMN-në, dhe dështimi për privatizim të PTK-së, thotë se ka frikë që nga mesi i vitit të ardhshëm Kosova mund t’i afrohet bankrotit. Zëri: Në fillim të vitit u tha nga qeveritarët se do të ketë rritje ekonomike 7-8 %, kurse tash për "Zërin” Besim Beqaj ka pranuar se presin rritje 5.5 %. Sa pritni ju, si ekspert i ekonomisë, që të jetë rritja ekonomike për këtë vit? Marmullaku: Po, mendoj që rritja ekonomike do të jetë përafërsisht e njëjtë me vitet e kaluara. Me këtë shkallë të zhvillimit ekonomik që ka Kosova nuk bëhet fjalë për rritje ekonomike prej 5.5 %, e me këtë lloj koncepti që ka Qeveria e Kosovës për zhvillim ekonomik, rritja prej 7-8 % mund të jetë veç një ëndërr për të ardhmen. Unë nuk e kam idenë se në çka bazohet ministri i Zhvillimit Ekonomik kur flet për një shkallë të tillë të rritjes. Cilët janë ata parametra të zhvillimit ekonomik që i japin atij një indikacion të tillë. Vetëm një shembull: Ndër parametrat kryesorë që tregojnë tendencën (shkallën) e rritjes ekonomike është norma e shtimit bruto te GDP-së, e që në Kosovë është afërsisht 1 %. Prandaj, të proklamohet një shkallë e tillë e zhvillimit ekonomik, pa pasur asnjë parametër që të jep një indikacion të tillë është injorancë ose demagogji. Zëri: Format e përdorura nga Qeveria, siç është plani ad-hok i njohur si "Plani i Bullgarisë”, i dizajnuar për 4 ditë, a janë forma efikase për të arritur këto synime?
Marmullaku: "Plani i Bullgarisë” është proklamuar nga Qeveria e Kosovës si strategji e
zhvillimit ekonomik të Kosovës për vitet 2011-2014. E një strategji e mirëfilltë, për 4 ditë nuk mund të krijohet as për një biznes të vogël. Në fakt nga Bullgaria kemi marrë vesh se cilat janë prioritetet e zhvillimi për këtë periudhë dhe se si Kosova shumë shpejt do të bëhet si "Fshati i Potemkinit”.
Por, nuk e kemi parë një plan konkret se si do të arrihet kjo shkallë e zhvillimit (7-8 %). Edhe një shembull: Duke marrë parasysh që në tregun e punësimit në Kosovë çdo vit hyjnë afërsisht 50.000 të papune të rinj, atëherë vetëm për të mbajtur përqindjen e papunësisë në këtë nivel, Kosovës i duhet një rritje ekonomike prej 10 % në vit, e kjo aktualisht duket si një mision i pamundur.
Zëri: Nëse këto nuk janë format e duhura, cilat janë propozimet e juaja për këtë çështje?
Marmullaku: Kosova zhvillimin e vet ekonomik duhet ta fillojë nga potenciali që ka aktualisht në disponim. Fushat në të cilat duhet të fokusohet zhvillimi ekonomik është agrobiznesi dhe energjia. Pastaj, stimulimi i prodhimit vendor, i bizneseve të vogla dhe krijimi i një klime shumë të favorshme për investime të huaja dhe eliminimi i ekonomisë informale, do të rrisnin shkallën e bruto prodhimit vendor.
Zëri: Privatizimi i PTK-së u fut si nen në Ligjin e Buxhetit për këtë vit, por ky proces tash po zvarritet ende. A do të kemi krizë buxhetore me dështimin e kësaj shitjeje?
Marmullaku: Së pari, mendoj që është rasti i parë dhe i vetëm në Evropë që në një vend nuk ka të interesuar për tregun e telefonisë. Kjo tregon se sa i pasigurt duket investimi në Kosovë për investitorët e huaj dhe duhet të na shqetësojë shumë. Në buxhetin e Kosovës janë paraparë të hyrat nga shitja e PTK-së dhe kur t’i shtohen edhe mjetet e humbura këtë vit nga FMN-ja, që gjithashtu janë parë në buxhet, atëherë mendoj qe ky vit fiskal i ka punët pisk.
Vetëm pagesat për autostradën janë mjaft për buxhetin e Kosovës, e nëse nuk bëhen në afatet e parapara atëherë janë penalltitë që do të na kushtojnë mjaft. Në këto kushte (pa privatizimin e shpejtë të PTK-së), kam frikë që nga mesi i vitit të ardhshëm Kosova mund t’i afrohet bankrotit.
Zëri: Pos PTK-së, në Kosovë janë zvarritur edhe procese të tjera të mëdha, si privatizimi i pjesëve të caktuara të KEK-ut e ndërtimi i kapacitete të reja energjetike. Kush është fajtor për këtë dëmtim?
Marmullaku: Mungesa e një vizioni të qartë se si dhe kah do të shkojë zhvillimi energjetik i Kosovës, mendoj që ka shkaktuar vonesa në privatizimin e distribucionit të KEK-ut. Nuk po e shoh që e ka dikush të qartë se cilat janë kapacitetet reale energjetike të Kosovës dhe sa janë ato realisht të eksplorueshme.
Zëri: A mund ta përllogaritni përafërsisht dëmin që i është shkaktuar vendit nga këto zvarritje?
Marmullaku: Përllogaritja e përafërt e humbjeve në vlera monetare mund të bëhet vetëm nga procesi i privatizimit të aseteve publike, por humbjet e mëdha janë shkaktuar nga mungesa e zhvillimit ekonomik dhe e investimeve të huaja, e që janë shkaktuar për shkak të klimës së pafavorshme për një gjë të tillë dhe
mungesës totale të një strategjie të mirëfilltë për zhvillim.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus