Kryesore » 2012 » Gusht » 7 » Xhami e veçantë për ceremonitë mortore
2:10 PM
Xhami e veçantë për ceremonitë mortore
Me ndihmën e biznesmenit turk, Zekiria Konuogllu nga Inegoli, është mundësuar realizimi i projektit për ndërtimin e një xhamie që do të shërbej enkas për ceremonitë mortore në Mitrovicë. Në përurimin e këtij objekti në afërsi të Varrezave të Qytetit në Mitrovicë, përveç kryetarit Avni Kastrati, kanë marrë pjesë drejtues të Komunës së Inegolit, të prirë nga kryetari Alinur Aktash, mandej ministri Mahir Jaxhillar, përfaqësues të Këshillit të Bashkësisë Islame etj, njofton Kosovapress.Kryetari Kastrati i ka falënderuar miqtë dhe donatorët turq në emër të qytetarëve për ndihmën që po japin për Mitrovicën dhe gjithë Kosovën. "Xhamia e ndërtuar këtu është një objekt i veçantë në gjithë Kosovën, meqë është projektuar enkas për ceremoni mortore”, ka thënë Kastrati.

Ai sqaroi se në këtë xhami do të kryhen të gjitha ritet fetare, si pastrimi i kufomës, mandej ruajtja dhe të gjitha ritet tjera që lidhen me ceremoni të tilla. "Miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve tona, Kosovës dhe Turqisë dhe në këtë rast Mitrovicës dhe Inegolit, po reflektohet në krijimin e mundësive dhe kushteve më të mira për jetë”, theksoi Kastrati.

Sipas tij, pikërisht përmirësimi i jetës së qytetarëve është edhe misioni esencial i bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe në këtë rast ndërmjet qyteteve. "Kryetari i komunës së Inegolit, biznesmenët dhe qytetarët kanë treguar një zemërgjerësi të madhe që ne nuk do ta harrojmë”, u shpreh Kastrati.

Ai përmendi edhe projektin tjetër që është duke u realizuar nga Komuna e Inegolit me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar, për shtrimin e iftareve për 500 veta për gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Shumë i lumtur për këto projekte që po realizohen në Mitrovicë u shpreh edhe kryetari i Komunës së Inegolit, Alinur Aktash, i cili për dy ditë ka qëndruar në Mitrovicë i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, biznesmenë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar atje. "Jemi shumë të kënaqur që shohim këto projekte që po realizohen në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës, me të cilët kemi një miqësi dhe bashkëpunim shumë të ngushtë”, ka thënë Aktash.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus