Kryesore » 2013 » Mars » 17 » Vulin: Serbia do t'i forcojë strukturat e veta në Kosovë
3:57 PM
Vulin: Serbia do t'i forcojë strukturat e veta në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, ka qëndruar të shtunën në veri të Mitrovicës, gjegjësisht në Qendrën Spitalore. Ai fillimisht theksoi retorikën tashmë të njohur se Serbia nuk i lë serbët e Kosovës dhe do të jetë përherë me ta. Vulin ka siguruar se Serbia do t’i forcojë institucionet e veta në Kosovë, transmeton "Zëri”.
"Shteti i Serbisë nuk është në Kosovë për t’u tërhequr, ajo është këtu për t’i forcuar institucionet e veta e jo për t’i shuar”, tha Vulin. Ai tha se problemet me të cilat përballen punëtorët e QS do të zgjidhen shpejt."Numri i punëtorëve nuk guxon të zvogëlohet, por secili vend pune duhet maksimalisht të shfrytëzohet për të mirën e njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha ai, ndërkohë që ka falënderuar të punësuarit në këtë qendër shëndetësore, për siç tha ai "përkushtimin për të punuar këtu, që janë këtu dhe që nuk mendojnë të shkojnë dhe që i respektojnë dhe zbatojnë krejt atë që nga ata e kërkon Serbia”.

"Qendra Spitalore në Mitrovicë do të vazhdojë të funksionojë edhe më mirë, ndërsa garanci për këtë është udhëheqja e re, e cila ka kushte për punë pa pengesa”, theksoi Vulin, i cili ka shtuar se në shtetin e Serbisë mbetet që të përkujdeset për institucionin më të rëndësishëm.

Ai pohoi se është në kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore dhe Zyrës për Kosovën, që të bëjnë gjithçka që mbrojtja shëndetësore të jetë kualitative dhe që të punohet edhe më shumë për ruajtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

"Në këtë kuptim do ta zgjidhim problemin me paga, kujdestaritë, furnizimin pa pengesa me barna, e të tjera probleme. Qendra Spitalore është institucioni më i rëndësishëm i shtetit të Serbisë në Kosovë. Pa të jeta është e pamundur, sepse aty mjekohen më shumë pacientë se që është kapaciteti, të cilët shpesh nuk kanë dokumentacion të rregullt dhe libreza shëndetësore të vërtetuara, por kjo nuk është pengës që atyre t’u ofrohet shërbim cilësor shëndetësor”, ka thënë Vulin.

Drejtori i Zyrës për Kosovën ripërsëriti se shteti ka obligim që të jetë fleksibil përballë QS në veri të Mitrovicës dhe të gjejë forma që të funksionojë ashtu siç duhet.

Ndërkaq Millan Ivanoviq, kryetar i KNS dhe drejtor i Qendrës Spitalore në veri të Mitrovicës, tha se që nga nesër do të dërgojë projekte për avancimin e punës, në mënyrë që pacientëve që vijnë të mjekohen, edhe nga jugu edhe nga veriu i lumit Ibër, t’u ofrohet mbrojtje shëndetësore adekuate.

"Pres zgjidhje të shpejtë të problemit, të cilin e kemi pasur muajt e kaluar lidhur me pagat”, ka thënë Ivanoviq.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus