Kryesore » 2012 » Korrik » 24 » Vetëvendosje: OKB nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës
9:41 PM
Vetëvendosje: OKB nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth orës 11:00 shkruan parullën UNFAIR në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut në zonën industriale në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë.
Me të filluar shkrimin e parullës, pa kurrfarë paralajmërimi dhe me gjithë faktin që dukej qartë që aktivistët thjeshtë do të shkruajnë një parullë, policët e Kosovës intervenuan në mënyrë të shfrenuar ndaj aktivistëve. Ata hodhën spray lotsjellës në mënyrë të pakontrolluar, goditën aktivistët me grushta dhe ofendonin pandërprerë. Edhe pasi aktivistët e shkruan parullën, policia insistonte në të njëjtën mënyrë të shfrenuar t’i arrestonte ata. Gjatë këtij intervenimi, shumica e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u lënduan nga sprey lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi e përplasën për tokë duke ia lënduar kokën.

Njëri nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Nol Nushi, ka thënë se VETËVENDOSJE! e kundërshton ardhjen e Ban Ki Moonit në Kosovë, për shkak se të gjashtë pikat e tij e kthejnë Kosovën prapa. "OKB nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës. Për këtë arsye ne sot shkruam në murin e UNMIK-ut, ‘UNFAIR’, për t’i treguar edhe sekretarit të përgjithshëm të OKB së ne nuk e pranojmë qëndrimin diskriminues nga kjo organizatë e cila u themelua sipas parimit të Barazisë së kombeve, popullin shqiptar të Kosovës nuk e konsideron si të tillë. OKB-në Kosova po e njeh përmes UNMIK-ut, dhe UNMIK për popullin tonë ka sjellë këto padrejtësi:

1. UNMIK-u nuk dëshiron të na njohë – ai do vetëm të na qeverisë.

2. UNMIK-u nuk e njeh Republikën e Kosovës – ai e njeh veç Beogradin.

3. UNMIK-u ka investuar në ndarjen e Kosovës.

4. UNMIK-u nuk na ka ndihmuar të zhvillohemi ekonomikisht.

5. UNMIK-u pranohet vetëm prej strukturave kriminale të Beogradit dhe nga Qeveria e Thaçit.

6. UNMIK-u e ka filluar procesin e privatizimit kriminal që na la pa pasuri publike.

7. UNMIK-u i kanë rrogat nga 5.000-20.000 euro; pensionet në Kosovë janë 45-80 euro.

8. UNMIK-u mund të bëjë vepra kriminale por nuk përndiqet sepse ka imunitet prej ligjeve tona.

9. UNMIK-u i ka vrarë 2 dhe i ka plagosur 82 demonstrues paqësorë më 10 shkurt 2007 – askush nuk u dënua.

10. Dhe më së fundi, kryetari i asamblesë së OKB-së ka paraqitur 6 pikat famëkeqe për vendin tonë, që na kthejnë hapa pas në rrugën tonë për pavarësi.

Por ne jemi të vendosur për pavarësi, në emër të sakrificave e përpjekjeve të së shkuarës, në emër të kërkesës së panegociueshme për drejtësi, në emër të së drejtës sonë universale për të qenë të barabartë me krejt popujt e botës në emër të së drejtës për VETËVENDOSJE!.”
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus