Kryesore » 2012 » Prill » 8 » Vetëvendosje, dënon sulmin ndaj familjes shqiptare
5:00 PM
Vetëvendosje, dënon sulmin ndaj familjes shqiptare
Lëvizja "Vetëvendosje” ka dënuar ashpër sulmin ndaj banesës së një shqiptari në Mitrovicë ku si pasojë e shpërthimit u vra 38-vjeçari Selver Haradinaj dhe u plagosën 5 pjesëtarë të familjes së tij. Në një deklaratë për shtyp lëvizja "Vëtëvendosje” shprehet e indinjuar për këtë akt kriminal, ndërsa i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Haradinaj, ndërsa fëmijëve të plagosur u shpreh shërim sa më të shpejtë. "Ky sulm i përgatitur kaq me kujdes, duke vendosur eksploziv pranë dritares së banesës së familjes Haradinaj tregon se kemi të bëjmë me një sulm terrorist dhe me një veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit kundër shqiptarëve në veri. Shqiptarët në pjesën e veriut të Kosovës i janë nënshtruar një terrori të përditshëm nga mekanizmat e paligjshëm shtetërorë të Serbisë në Kosovë, duke filluar prej barrikadave e deri te vrasjet e planifikuara, si kjo e Selver Haradinajt” thekson Vetëvendosje.


Më tej lëvizja thekson se për këtë sulm të pafalshëm të kriminelëve të Beogradit, duhet të mbahet përgjegjëse edhe qeveria e Kosovës pasi sipas saj kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e tolerimit të strukturave të armatosura të Serbisë në Kosovë. "Kjo politikë e mbrapshtë po e dërgon në Bruksel një Serbi e cila në Kosovë po vazhdon të prodhojë jetima shqiptarë. Strukturat e Serbisë në veri nuk janë aty vetëm për ta kontrolluar atë pjesë të vendit tonë por edhe për t`i vrarë e dëbuar shqiptarët prej andej thekson më tej vetëvendosje.


Sipas Vetëvendosjes mungesa e shtetit në veri të Mitrovicës vjen prej shpërfilljes që ia ka bërë pushteti banorëve dhe territorit atje. "Shqiptarët e veriut vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet tona prani më të madhe dhe siguri të shtuar, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga dhuna e agjentëve të Beogradit” shton Vetëvendosje.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus