Kryesore » 2013 » Maj » 3 » Veteranët, viktimë e zgjedhjeve
4:52 PM
Veteranët, viktimë e zgjedhjeve
Verifikimi i njohjes së statusit të pjesëtarëve të UÇK-së i filluar në nëntorin e vitit të kaluar, me gjasë do të shtyhet deri pas zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ndonëse ishte paraparë që ky proces të përfundojë brenda 5 muajsh, kjo nuk do të mund të ndodhë për shkak se ky vit është vit elektoral dhe revolta e veteranëve mund të kthehet si bumerang me vota në këto zgjedhje.Ndërkaq, drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së shkojnë edhe më larg duke kërcënuar se nëse nuk miratohet ligji për vlerat e luftës dhe nëse zvarritet verifikimi i veteranëve, zgjedhjet lokale rrezikohen të mos mbahen.Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se qysh prej përfundimit të luftës në vitin 1999 e deri më sot, ushtarët e UÇK-së vazhdimisht kanë qenë viktime e politikës. Madje sipas tij, për shkak të kësaj ka pasur edhe pasoja të tjera. "Tashmë janë 44 veteranë, të cilët kanë bërë vetëvrasje e qindra veteranë padrejtësisht akuzohen, dënohen dhe po mbahen nëpër burgje”, ka thënë ai.

"Ky verifikim ka filluar me shumë defekte dhe paqartësi, por nëse nuk përfundon para mbajtjes së zgjedhjeve, tregon se këtu nuk ka asgjë, por është vetëm lojë e radhës politike. E nëse deri para zgjedhjeve lokale nuk miratohet ligji për vlerat e luftës me rekomandimet tona dhe nëse vonohet verifikimi, nuk e besoj që as zgjedhjet lokale do të mund të mbahen”, ka thënë Qeriqi, duke bërë me dije se ky këshill nuk do të rrijë duar kryq e të bëjë "sehir”.

Megjithatë, kreu i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, nuk beson në shtyrjen e verifikimit të veteranëve të UÇK-së deri pas zgjedhjeve lokale. Ai ka thënë se këtë javë ose javën tjetër do të takohen edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi për këtë çështje. "Ne i kemi bërë disa rekomandime se si do të bëhet verifikimi, tash i mbetet kreut të Komisionit, ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, tashmë ministër i FSK-së, Agim Çeku, i cili do t’ia prezantojë kryeministrit dhe qeverisë që të miratohen ato rekomandime ose duhet të shkohet në Kuvend, të bëhet amendamentimi i ligjit për vlerat të luftës dhe të përfundojë kjo çështje. Unë nuk e besoj që është interes i dikujt që të shtyhet verifikimi i veteranëve”, ka thëmë Xhemjali.

Ai thotë se mospërfundimi i verifikimit të veteranëve lidhet edhe me bisedimet Kosovë-Serbi, kjo për faktin se kryeministri nuk ka pasur kohë të merret edhe komisionit për verifikim të veteranëve. "Sekretaria e cila po merret me punët teknike të Komisionit veç ka filluar punën dhe është duke punuar rregullisht në sistemimin e aplikacioneve dhe t’i ndaj në bazë të brigadave dhe njësive që më pas do të jetë shumë e lehtë për komisioni që të bëhet verifikimi”, ka thënë Xhemajli. Ai vlerëson se numri i mbi 56 mijë aplikuesve për të marrë statusin e veteranit është joreal. "Megjithatë në bazë të këtyre rekomandimeve që i kemi, janë bërë disa sugjerime që të bëhet njëfarë kategorizimi sepse është e palogjikshme t’i ketë pasur UÇK-ja 56- 60 mijë ushtarë”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se kjo është absurditet.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ka thënë se puna e këtij komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të ish- ushtarëve të UÇK-së do të jetë e vështirë kur dihet se numri i ushtarëve të UÇK-së, asnjëherë nuk e ka kaluar numrin 20 mijë. "Ne nuk besojmë në punën profesionale dhe të pavarur të këtij komisioni qeveritar. Duke e ditur ndjeshmërinë e kësaj kategorie të shoqërisë sonë dyshimet tona rriten se çështja e verifikimit të këtyre kategorive të luftës do të zvarritet shumë”, ka thënë Durmishi. Ai ka thënë se dihet se ky vit është vit elektoral prandaj ky komision siç po duket punën e tyre nuk do e përfundoj para zgjedhjeve. "Po të bëhej verifikimi si duhet, rreth 37 mijë aplikues nuk do të pranoheshin si veteran të UÇK-së. Pushteti ka ndikim shumë të madh në këtë komision (shumica e anëtarëve të komisionit janë njerëz të pushtetit) dhe duke e ditur se pushteti njerëzit i sheh vetëm si votues, atëherë këtë çështje do e zvarritin deri pas zgjedhjeve që të mos i irritojnë ata aplikantë dhe familjet e tyre e që do të reflektohej edhe në zgjedhje”, ka thënë Durmishi.

Ndryshe, komisioni për seleksionimin e veteranëve të UÇK-së ishte themeluar nga institucionet e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit për vlerat e luftës dhe ka për qëllim të kualifikojë dhe të nxjerrë numrin e saktë të veteranëve të UÇK-së.

Në krye të këtij Komisioni ishte vënë Azem Syla, por kishte dhënë dorëheqje pas 7 muajve dhe gjatë kësaj kohe kishte mbledhur vetëm një herë komisionin dhe atë në një takim njohës. Aktualisht, ky komision është nën udhëheqjen e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, tashmë ministër i FSK-së, Agim Çeku.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus