Kryesore » 2012 » Korrik » 3 » Vdes nga plagët e marra me armë zjarri
1:34 PM
Vdes nga plagët e marra me armë zjarri
Incidenti është raportuar të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit së sotëm, rreth orës 03:00, para kafeterisë "Kroni” në rrugën "Ulqinit” në Mitrovicë, ndërsa viktima B. Ademi 28 vjeçar, ishte plagosur me armë zjarri, me një plumb në anën e majtë të gjoksit.I plagosuri është dërguar në Qendrën Spitalore në Mitrovicë, ndërsa sipas raporteve zyrtare të mjekëve kujdestar, mësohet se viktima kishte arritur në repartin emergjent pa shenja jete, njofton policia.Sipas policisë, motivet e këtij akti kriminal ende nuk janë bërë të ditura, mirëpo besohet se incidenti në mes të disa personave ka filluar pas një mosmarëveshje verbale brenda në kafeterinë "Kroni” ndërsa me të dalë jashtë lokalit, të dyshuarit kanë vënë në përdorim armën e zjarrit, duke shkaktuar lëndime vdekjeprurëse viktimës së tyre.

Hetuesit policor të drejtorisë rajonale të hetimeve në Mitrovicë së bashku me teknikët e kriminalistikës, nën udhëheqje të prokurorit publik, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe inicimin e procedurave të rastit të vrasjes së rëndë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

Dy vrima nga armë zjarri janë evidentuar në vend ngjarje, përkatësisht në xhamin e derës hyrëse dhe kornizën e xhamave të lokalit ndërsa dy gëzhoja dhe dy plumba të pa shkrepur janë gjetur dhe evidentuar si pjesë të provave materiale.

I dyshuari kryesor, A.H. rreth 30 vjeqar, si kryes i mundshëm i këtij akti kriminal, i cili ishte arratisur nga vendi i ngjarjes është lokalizuar dhe arrestuar në shtëpinë e tij në fshatin Suhadoll të Mitrovicës ndërsa në arrati gjendet i dyshuari i dytë, përkatësisht bashkëpjesëmarrësi në kryerje F.H. rreth 31 vjeçar, identiteti i të cilët është i njohur për Policinë.

Policia e Kosovës, me urdhëresë për kontroll, ka kryer bastisjen e shtëpisë së dy të dyshuarve në fshatin Suhadoll, ndërsa janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie dhe një karikator i armës automatike së bashku me 8 fishek.

Arma me të cilën besohet se është kryer akti kriminal, ende nuk është lokalizuar.

Rasti është iniciuar si vepër penale "vrasje” në bazë të nenit 146 të kodit penal të Kosovës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus