Kryesore » 2012 » Prill » 13 » Thaçi: Nuk lejojmë të na shkelet asnjë centimetër territor
3:49 PM
Thaçi: Nuk lejojmë të na shkelet asnjë centimetër territor
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka drejtuar një mesazh qeverisë në Beograd se nuk do të lejohet cenimi i tërësisë territoriale të Kosovës. Mesazhi politik i kryeministrit është adresuar gjatë fjalës së tij hyrëse në hapje të mbledhjes së qeverisë pas disa incidenteve të fundit, siç ishte arrestimi i dy policëve kufitar të Kosovës nga xhandarmëria serbe në Mërdar, paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe incidenteve të shtuara në veri të Mitrovicës.
 Thaçi tha se integriteti i Kosovës do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore."Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës e ka mandatin dhe e ka besimin e plotë të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, ka adresuar mesazhin e tij Thaçi.

Ishte ky adresimi i parë i kryeministrit Thaçi para kabinetit qeveritar pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mes tjerash ai kishte realizuar edhe takime me nënkryetarin Xhozef Bajden, sekretaren e shtetin Hilari Klinton dhe shumë personalitete tjera.

Thaçi tha se është qëndrim i prerë i Uashingtonit që Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, ndërkaq për situatën në veri, ai tha se ka mbështetjen në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in atje të vendoset rendi dhe ligji.

Sa i përket rastit të fundit të vrasjes së qytetarit Selver Haradinajt në banesën e tij në veri të Mitrovicës, Thaçi tha se ai është një akt terrorist që duhet ndriçuar pa paragjykuar për motivet e tij.

"Kemi dënuar atë akt kriminal, terrorist. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve edhe në veri dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të ardhur deri te e vërteta rreth këtij akti kriminal duke mos pretenduar në asnjë rrethanë të prejudikojmë në motivin qoftë politik apo etnik. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, ndërsa politika në raste të tilla më së paku duhet të flet”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që organet shtetërore të Kosovës të ndërhyjnë në veri, ndonëse ai në shumë raste ka përmendur se një përgjegjësi të plotë për veprim në atë pjesë e kanë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.

"Çdo veprim kushtetues e ligjor do ta kryejmë përballë kriminelëve dhe nuk do të dorëzohemi përballë atyre kriminelëve që po i shohim që po kryejnë veprime atje. Kjo është punë e kryer. Por, kjo nuk është punë politike, është operative dhe nuk është punë që po e themi se do ta sulmojmë sot ose nesër, por do të punojmë për rend e ligj në gjithë territorin e Republikës dhe kudo që paraqiten veprime kundërligjore do të reagojmë”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar se KFOR-i ka bastisur njësitë e forcave speciale të Policisë së Kosovës – ROSU, pas disa paralajmërimeve se ata po bëheshin gati për një aksion në Mitrovicë, por ka pranuar se prania e këtyre forcave në Mitrovicë, siç tha Kuçi, "ka trembur pak KFOR-in”.

"Atë moment që merr vendim Qeveria e Kosovës, Ministria e Brendshme, komandanti i policisë, nuk ka kush që e ndalë ROSU-në dhe mos ta mbajë kush atë mendje që mund të krijojë përshtypje tjetër. Por, po e them nuk jemi në konflikt me KFOR-in. Kanë mundur të marrin pak të trembur KFOR-i, por logjika e jonë është që KFOR-i duhet të jetë ndihmues në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe duhet t’i ndalë kriminelët çka po bëjnë në atë pjesë”, ka deklaruar Kuçi.

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë ngritur sërish edhe tensionet e brendshme politike.

Ndërsa qeveria bën thirrje për maturi dhe veprime të koordinuara, një pjesë e opozitës kërkon masa urgjente, përfshi edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në atë pjesë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus