Kryesore » 2012 » Maj » 27 » Tenderi me parregullsi
1:24 PM
Tenderi me parregullsi
Ministria e Infrastrukturës (MI) ka përcaktuar si prioritet mirëmbajtën e asaj që është konsideruar si krenaria e Kosovës, Autostradën Ibrahim Rugova, respektivisht aksin e vënë në qarkullim nga Vërmica deri në Suharekë. Për mirëmbajtjen e kësaj rruge, Ministria që drejtohet nga Fehmi Mujota ka shpallur tender më 18 maj, mirëpo për shkak të disa vonesave që në MI konsiderohen ligjore, tenderi ka vënë në lajthitje operatorë që kanë synim të mirëmbajnë Rrugën e Kombit II. Për të konkurruar në këtë tender, kompanitë konkurrente e kanë të obligueshme që të plotësojnë dokumentet e nevojshme deri më datën 12 qershor, mirëpo operatorët janë nën "siklet” sepse atyre nga Ministria iu është thënë se "duhet të presin edhe disa ditë për shkak se dosja e tenderit nuk është tërësisht e gatshme”. "Ne sa herë që kemi konkurruar për tender, dosja e tenderit ka qenë e gatshme në momentin që është shpallur njoftimi për tender, por në këtë rast na është thënë që të presim edhe pesë apo gjashtë ditë derisa ajo të përfundohet për shkak se na është thënë që nuk është e gatshme”, ka thënë një përfaqësues i një operatori ekonomik privat, pretendent për të konkurruar për të mirëmbajtur autostradën.I njëjti dyshon që një vonesë e tillë mund të ndikojë që kompanitë të mos kenë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e dhjetëra dokumenteve që duhet të bashkëngjiten në dosjen e një tenderi. "Menjëherë tek ne lind dyshimi që ky tender mund t’i jetë premtuar dikujt dhe kompanitë tjera i vonojnë në këtë mënyrë vetëm që të mos kenë kohë të mjaftueshme për plotësimin e dokumenteve të nevojshme”, thotë i njëjti përfaqësues.Me gjithë shqetësimin e operatorëve, zyrtarë të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës thonë se janë duke vepruar konform ligjit dhe se ligji në këtë rast ia lejon Ministrisë që deri më datën 25 të mos e bëjë shpërndarjen e dosjes së tenderëve tek personat që kanë shfaqur interesimin ta marrin atë, pavarësisht kërkesës me shkrim apo në mënyrë elektronike.Zyrtari i lartë i departamentit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Shefqet Emërllahu, duke u bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, thotë se para se të publikohet njoftimi për kontratë, dosja e tenderit duhet të jetë e gatshme. 
Sipas të njëjtit ligj, dosja edhe e tenderit për mirëmbajtjen e autostradës nga seksioni 1 deri në 5 është e gatshme por varësisht nga koha kur arrijnë kërkesat për tërheqjen e dosjes së tenderit, janë pesë gjashtë ditë në dispozicion që të bëhet dërgimi i tyre. "Ne deri tash kemi pranuar kërkesa dhe nuk e kemi shpërndarë dosjen për askënd. Kur të shpërndahet do të shpërndahet për të gjithë dhe ajo ditë do të jetë data 25 maj kur edhe kemi afatin”, thotë Emërllahu. Ai thotë se një afat i tillë MI-së i lejohet kur aplikimi për tender ka afat më shumë se 20 ditë e më pak se 30. Në këtë rast, sipas tij, ka afat deri më 12 qershor që të bëhet kompletimi i dosjeve. "Konsideroj që koha është e mjaftueshme”, thotë ai, duke shtuar se kompanitë janë pak a shumë të përgatitura për shkak se edhe më herët ishte hapur tenderi për mirëmbajtje të autostradës, i cili më pas ishte anuluar. Tenderi për mirëmbajtjen e autostradës ishte hapur në janar të këtij viti, mirëpo për shkak të kritereve të larta që ishin vënë në kërkesë, asnjë kompani nuk është gjetur e përgjegjshme për t’ia besuar mirëmbajtjen verore dhe dimërore të autostradës. Duke u bazuar në parregullsitë e mëhershme që i kanë karakterizuar tenderët e MI-së, Petrit Zogaj nga lëvizja Fol kërkon që të respektohen procedurat dhe me dyshimet eventuale të merret prokuroria. "Proceset e prokurimit në MI dhe më herët në MTPT ka kohë që janë duke u dyshuar për shkelje të procedurave ligjore dhe me këtë kemi parë edhe të dyshuar. Në rastin konkret MI duhet të respektojë procedurat ligjore dhe të krijojë hapësirë të mjaftueshme për konkurrencë të hapur dhe të ligjshme. Në të kundërtën, prokuroria kompetente duhet të veprojë”, ka thënë Zogaj.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus