Kryesore » 2012 » Maj » 28 » Të shtëna armësh në drejtim të shtëpive të shqiptarëve
3:11 PM
Të shtëna armësh në drejtim të shtëpive të shqiptarëve
Të shtëna armësh automatike që kanë ndodhur pothuajse tërë pasditen e së dielës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë shqetësuar tej mase banorët shqiptarë dhe ata jo serbë të kësaj lagje. Sipas banorëve, të shtënat e herë pas hershme në ajër kanë filluar që nga ora 13:30 nga objekti i quajtur "Vojni remont” dhe kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë që ato të jenë orientuar edhe në drejtim të shtëpive të shqiptarëve. Fatmir Beqiri, banor i kësaj lagje, ka thënë për Kosovapress se të dielën rreth orës 16:00 ka parë 6 persona me një armë automatike, të cilët kanë shtënë nga "Vojni remonti” në mënyrë të pakontrolluar, dhe në drejtim të shtëpisë së tij. "Nga plumbat janë goditur telat e rrymës të cilat janë në një lartësi më të ultë sesa çatia e shtëpisë time, andaj them se plumbat janë orientuar në drejtim të shtëpisë”, ka thënë Beqiri. Sipas tij, 6 familjet Beqiri të kësaj lagje kanë mbetur pa rrymë si pasojë e këtyre të shtënave. Ai theksoi se për fat të mirë nuk ka pësuar askush dhe se rastin e ka lajmëruar në polici. Ndërkaq, Florent Azemi, përfaqësues i kësaj lagje, tha se nuk është hera e parë që të shtënat pikërisht nga ky objekt shqetësojnë banorët e këtushëm. "Kohët e fundit ka pasur të shtëna nga ana e serbëve në vazhdimësi, por ajo që ka ndodhur dje ka qenë vërtetë një tmerr për familjet tona, veçanërisht për fëmijët”, ka thënë për Kosovapress Azemi. Ai kritikoi edhe reagimin e Policisë së Kosovës të stacionit veri, pasi që siç u shpreh ai, që nga ora 13:30 kur kanë filluar të shtënat, e ka lajmëruar policinë, por askush prej tyre nuk ka ardhur. "Sa herë që serbët kanë dasma ose ahengje të ndryshme, të cilat organizohen brenda këtij objekti, banorët e këtushëm pa dallim ndjehen të frikësuar nga pasojat e mundshme të të shtënave”, tha ai, duke shtuar se banorët e Lagjes së Boshnjakëve kanë kërkuar në vazhdimësi një pikë kontroll policor afër këtij objekti, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Sipas tij, në këtë objekt e kanë bazën kompania e njohur "Soko”, që bënë sigurimin e personaliteteve të larta politike nga Serbia, pastaj organizata ultra nacionaliste "1389”, e njohur për barrikada dhe incidentet në veri, etj.Ai shtoi se për këtë është në dijeni edhe Policia e Kosovës, por nuk është parë ndonjëherë të ketë ndërmarrë diçka. Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i policisë rajonale të Kosovës në Mitrovicë, ka konfirmuar të shtënat me armë që kanë ndodhur të dielën pasdite në Lagjen e Boshnjakëve, duke shtuar se ato kanë ndodhur gjatë një ceremonie festive. "Ka pasur të shtëna të ashtuquajtura gazmore gjatë një ceremonie të dasmës, por ato nuk kanë qenë të drejtuara ndaj askujt”, ka thënë për Kosovapress Hoti, duke shtuar se deri tani nuk është arrestuar askush, ndërsa ngjarja është evidentuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armë mbajtje pa leje
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus