Kryesore » 2012 » Gusht » 31 » Synonin të “mashtrojnë” Amerikën
11:56 AM
Synonin të “mashtrojnë” Amerikën
Aq mirë ia ka mësuar lëndën e gjeografisë sa që Shaban Kila pos që e ka mësuar se ku gjendet kontinenti i Amerikës, me kalimin e viteve ka mësuar edhe si të bëhen dallavere për të dërguar kosovarë atje, duke i paraqitur si zyrtarë të institucioneve të Kosovës e duke përfituar nga ta shuma të majme parash. Kila, një qytetar i thjeshtë nga Malisheva, e ka pasur dikur mësues të gjeografisë ish-zëvendësministrin e Tregtisë dhe të Industrisë në mandatin e kaluar qeveritar, gjeografin Jonuz Kastratin. Ky i fundit, bashkë me nxënësin e tij Shaban Kilën, me asistentin e tij në MTI-së, Burim Hoxhën, si dhe me ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Mehmet Morinën e ish-punonjësin e sigurisë në zyrën e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçin, Xhevat Krasniqin, që të gjithë nga komuna e Malishevës, janë arrestuar nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike. Me kërkesë të prokurorit të rastit, Lulëzim Sylejmani, pas dëgjimit të personave të arrestuar, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Vehbi Kashtanjeva ka marrë vendim që pesë të arrestuarve t’ua caktojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Prokurori i rastit Lulëzim Sylejmani ka konfirmuar për gazetën se paraburgimi është caktuar nën dyshimin se i pandehuri Shaban Kila ka kryer veprën penale të kontrabandimit ndërsa katër persona të tjerë, që të gjithë zyrtarë të dikurshëm të institucioneve të Kosovës, veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare. 

Prokurori ka qartësuar se personat e arrestuar dyshohen se në nëntë raste kanë falsifikuar nota verbale për persona të thjeshtë se kinse janë zyrtarë të institucioneve të Kosovës, nota verbale të cilat më pas i kanë prezantuar në Ambasadën Amerikane prej ku edhe janë pajisur me viza zyrtare e në Kosovë nuk janë kthyer më.

"Këta nëntë persona janë shtetas kosovarë të cilët nuk kanë qenë zyrtarë të ministrive, por me notat verbale të falsifikuara ata janë paraqitur si zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë e punonjës të zyrës së zëvendëskryeministrit dhe si të tillë janë pajisur me viza zyrtare nga Ambasada Amerikane dhe nuk janë kthyer më në Kosovë”, ka konfirmuar prokurori Sylejmani.

Pas një hetimi intensiv që ka zgjatur më shumë se dy muaj në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së Ambasadës Amerikane në Prishtinë, prokurori konfirmon se kanë siguruar prova që tregojnë se i dyshuari kryesor në këtë mes është Shaban Kila.

Ky i fundit ishte paraqitur tek qytetarët si punonjës i institucioneve amerikane në Kosovë dhe si i tillë në këmbim të marrjes së vizave amerikane ai kishte kërkuar dhe marrë para nga po këta qytetarë. Policia përmes një kumtese ka njoftuar se të dyshuarit kanë marrë para deri në 20 mijë euro nga individët në këmbim të vënies së vizave amerikane në pasaportat e tyre.

Katër emra të qytetarëve që kishin paguar, sipas shkresave aktuale të lëndës, Kila ia kishte bartur profesorit të tij të dikurshëm, ish-zëvendësministrit Jonuz Kastrati. Ky i fundit ata emra i kishte proceduar tek asistenti i tij, Burim Hoxha që të merrej më tutje. Pos katër emrave, për të qenë më bindës tek organet amerikane, Hoxha në listën e emrave e kishte futur edhe emrin e tij, emrin e shefit të tij dhe të një zyrtari tjetër të ministrisë.

Tërë këtë listë e kishte proceduar në MPJ përkatësisht tek Mehmet Morina që kishte mbajtur pozitën e zyrtarit të lartë për çështje konsullore – të vizave. Morina i kishte lëshuar notat verbale për të gjithë emrat që ishin proceduar në atë listë dhe të gjithë në emër të "udhëtimit zyrtar” ishin pajisur me vizë amerikane.

Ngjashëm, një listë me pesë emra tek Mehmet Morina ishte ardhur edhe nga punonjësi i sigurisë në zyrën e zëvendëskryeministrit Kuçi, Xhevat Krasniqi. Edhe me atë listë ishte proceduar ngjashëm nga ana e Morinës i cili është suspenduar nga MPJ-ja para dy muajsh pikërisht mbi bazën e dyshimit për falsifikim të pozitës zyrtare.

Hetuesia dyshon që këta persona e kanë ditur detyrën e secilit dhe se këto veprime janë bërë në dijeni të njëri -tjetrit.

Pavarësisht kësaj, pesë të arrestuarit, gjatë seancës për caktim të paraburgimit kanë pohuar se nuk kanë të bëjnë me këto vepra derisa kryesori në këtë mes Shaban Kila, ia ka lënë fajin një shtetasi amerikan që kishte qenë i angazhuar me punë në qytetin e Malishevës.

Prokurori i rastit bën me dije se pavarësisht caktimit të paraburgimit për pesë personat, hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar akoma.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus