Kryesore » 2012 » Prill » 5 » Studentët presin gjatë për rikthim të parave nga UP-ja
11:44 AM
Studentët presin gjatë për rikthim të parave nga UP-ja
Studentët e Universitetit të Prishtinës (UP), të nivelit bachelor dhe master, të cilët janë të liruar nga pagesat semestrale në bazë të rregulloreve të UP-së, ankohen se kanë "tre muaj që presin për rikthim të parave në llogaritë e tyre”, shkruan "Koha Ditore”. 
Sipas sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Vaxhid Sadriu, këto vonesa kanë ardhur si pasojë e mungesës së stafit administrativ që merret me procedurat kthyese, si dhe neglizhencës së Komisionit për shqyrtimin e kërkesave për lirim nga pagesa e semestrit." Para një jave, më 29 mars, është mbajtur mbledhja e Këshillit, dhe aty është konstatuar se procedurat e kthimit të mjeteve kanë përfunduar. Edhe ankesat e studentëve janë shqyrtuar dhe janë liruar edhe 79 studentë, pas shqyrtimit të tyre”, ka bërë të ditur Sadriu, duke thënë se paratë do t’u kthehen studentëve brenda muajit prill.

Sipas Sadriut, këtë vit kërkesat për lirim kanë qenë më të mëdha dhe puna ka qenë më voluminoze, krahasuar me vitet e kaluara. "Duhet pasur parasysh se për disa kategori të caktuara bashkëpunojmë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me qëllim të sigurimit të informatave sa më të sakta dhe më të drejta”, ka shtuar ai.

Por Sadriu, ka bërë të ditur edhe një fakt tjetër. Sipas tij, studentët të cilët i plotësojnë kushtet në bazë të rregullores për t’u liruar nga pagesat, nuk kanë qenë të obliguar këtë vit të paguajnë. ”Vitin e kaluar Këshilli Drejtues pati marrë vendim që studentët të cilët lirohen nga pagesat e semestrit, me përjashtim të atyre të vitit të parë, të mos kenë nevojë që të paguajnë, e më pas t’u kthehen mjetet”, ka shtuar Sadriu. Kjo, sipas tij, është vendosur me qëllim të shmangies dhe lehtësimit të procedurave.

Por lidhur me këtë vendim, studentët shprehen se nuk janë të informuar.

Bardha Nuhaj, studente në nivelin master në Juridik, tregon se nga dhjetori i vitit të kaluar, emri i saj figuron në listën e personave të liruar nga pagesa.

"Ne jemi tre anëtarë të familjes, që ndjekim studimet në UP. Për këtë arsye njëri nga ne ka pasur mundësi të lirohej nga pagesa. Unë kam aplikuar, kam fituar mundësinë të lirohem mirëpo mjetet me të cilat kam paguar semestrin nuk më janë kthyer edhe pse ka tre muaj që i kam dorëzuar dokumentet për kthim”, ka sqaruar Bardha. Ndërkaq, lidhur me vendimin i cili nuk i obligon studentët që lirohen, ta paguajnë semestrin, ajo thotë se nuk ka dëgjuar asnjëherë. "Po të ekzistonte ky vendim, unë normalisht se nuk do ta paguaja. Vetëm do t’i ndiqja procedurat dhe kaq”, ka thënë ajo.

Edhe, Haxhi Gashi, student në master në Fakultetin Ekonomik, i cili po ashtu është duke pritur për kthimin e mjeteve, është shprehur se nuk ka dëgjuar për një vendim të tillë. "Më 27 janar ka qenë afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për kthim mjetesh nga ana e studentëve që janë shpallur si të liruar nga pagesa. Unë i kam dërguar, ndërkaq mjetet nuk janë kthyer ende”, sqaron Haxhiu, sipas të cilit viteve të kaluara nuk ka ndodhur një vonesë e tillë.

Por sekretari i përgjithshëm i UP-së, Vaxhid Sadriu, ka vlerësuar se kjo vonesë nuk është aq e madhe dhe se "studentët nuk kanë nevojë të brengosen, veç se të tregohen të durueshëm”. Ai ka bërë të ditur se nuk ekziston ndonjë rregullore që përcakton kohën e kthimit të mjeteve, dhe se ato kthehen vetëm pas mbarimit të procedurave administrative.

Në bazë të legjislacionit në fuqi si dhe në bazë të vendimeve të menaxhmentit të lartë dhe Këshillit Drejtues të UP-së, nga pagesa e semestrave mund të lirohen studentët, familjet e të cilëve janë në asistencë sociale, studentët të cilët janë invalidë të luftës, ata që kanë mbetur pa njërin prind si pasojë e luftës, studentët me aftësi të kufizuara si dhe studentët që kanë tre ose më shumë anëtarë të familjes së ngushtë në studime në UP.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus