Kryesore » 2012 » Mars » 30 » Salihaj zgjat listën
12:53 PM
Salihaj zgjat listën
Adem Salihaj akuzon Latif Gashin se kishte angazhuar njerëz edhe nga Shqipëria për ta vrarë atë dhe Tahir Zemajn. Këtë thotë se e ka kuptuar nga një person me emrin Shemsi Bajrami. Angazhimin e njerëzve për të vrarë, sipas ish zëvendëskryeministrit të Kosovës, Latif Gashi e kishte bërë nëpërmjet Xhavit Halitit.Adem Salihaj të enjten dukej se ishte më në formë sesa ditëve tjera, kur nuk mundi të merrej në pyetje për shkak të arsyetimit se ishte sëmurë, shkruan "Express”. Kur po pritej marrja në pyetje nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve në rastin "Bllaca II”, Salihajt i ra ndërmend të tregojë edhe dy raste tjera që kanë të bëjnë me planifikimin e vrasjes së tij.Pa e pyetur askush, Salihaj filloi të rrëfejë për rastet që kanë ndodhur pas tentimvrasjes së tij më 12 qershor 2000. Në njërin rast, ai inkriminon dy deputetë të PDK-së, Latif Gashin dhe Xhavit Halitin, ky i fundit edhe nënkryetar aktual i Kuvendit.Sipas tij, ata kanë paguar njerëz për ta vrarë atë. E krejt këtë, Salihaj e bazon në deklaratën e një personi të quajtur Shemsi Bajrami nga Tërrnja e Ferizajt.Sipas Salihajt, Latif Gashi në atë kohë ishte në burg dhe nuk ka mundur t’i ftonte drejtpërdrejt, por këtë e ka bërë nëpërmjet Xhavit Halitit. Gjithnjë sipas rrëfimit të Salihajt, i cili e citon Ilirian Halimin nga Elbasani, edhe një grup tjetër ishte angazhuar në rajonin e Deçanit, po nga Latif Gashi për ta vrarë Tahir Zemajn. Këto informata Salihaj tha se ia ka sjellë Shemsi Bajrami.

Ndërkaq Salihaj e ka përmendur edhe një incident tjetër që ka ndodhur më 11 qershor 2001 në Gjenevë të Zvicrës, ku sërish akuzohen disa militantë të PDK-së, njofton "Express”.

Sipas tij, katër persona kanë tentuar ta ndërpresin një tubim të LDK-së, ku ai po mbante fjalim. Në këtë incident, sipas Salihajt, janë dëgjuar edhe të shtëna.

Nga ky grup, ai ka njohur Burhan Arifin, djalin e kryetarit aktual të Vitisë, Nexhmedin Arifi, si dhe një person tjetër, Bekim Bytyqi.

Këtë ndërlidhje ai e bën me faktin se Burhan Arifi është dhëndër i Ekrem Jasharit nga Ferizaj, për të cilin Salihaj e identifikon si njeri të SHIK-ut, ndërsa Bekim Bytyqi, sipas Salihajt, i ka dhuruar grupit që ka tentuar ta vrasin më 12 qershor 2000 veturën "Opel Omega”.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar avokati Ramiz Krasniqi, i cili trupit gjykues i ka thënë se dëshmitari Salihaj ka gënjyer edhe kur ka thënë se ka qenë i sëmurë dhe se këtë po e bën për promovim politik.
Mirëpo, kryetari i trupit gjykues ia ka tërhequr vërejtjen Krasniqit që të heshtë dhe të mos ndërhyjë pa ia dhënë fjalën.

Kur i erdhi radha e marrjes në pyetje, avokati Krasniqi e ka provokuar mjaft me pyetje dëshmitarin, ku njëra ndër to ishte edhe rreth kuptimit të fjalëve në gjuhën shqipe dhe se kur kishte diplomuar.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues pas shumë paralajmërimeve, vendosi që avokatin Ramiz Krasniqi ta gjobisë me 400 euro për shkak se nuk ka respektuar urdhrat e gjykatës.

Njëra ndër pyetjet që nuk mori përgjigje të avokat Kransiqit ishte edhe ajo se a e ka ndier veten të sigurt para vitit 1999 ose pas këtij viti. Kjo pyetje e avokatit u bë pasi në dëshminë e tij dëshmitari tha se nuk ka pasur besim në Policinë e Kosovës e nga askush prej shqiptarëve.

Mirëpo, gjykatësi Torre Tomason nuk lejoi pyetje të tilla nga ana e avokatit Krasniqi.

Avokati i Shaban Sylës, i cili akuzohet se ia kishte drejtuar armën Adem Salihajt, e ka pyetur gjerë e gjatë për veprimtarinë e tij dhe për deklaratat e tij në lidhje me rastin. Shumë nga pyetjet e Millakut nuk u pranuan për shkak se, siç u tha, nuk janë të rëndësishme për procesin.

Në deklaratën e tij, Salihaj kishte thënë se ishte informuar nga SHIK-u, ndërkaq në shqyrtimin kryesor tha se nuk ishte informuar drejtpërdrejt, por nga persona tjerë.

Avokati e ka pyetur rreth një personi, i cili ka deklaruar se Adem Salihaj e ka joshur me 45 mijë euro me qëllim që ta inkriminojë Azem Sylën se ka dashur që ta vrasë.

Por, Salihaj tha se personin në fjalë, i cili ka probleme me ligjin dhe probleme familjare, e ka manipuluar dikush në mënyrë që ta akuzonte në atë mënyrë.

Salihaj u pyet edhe për xhirimet e CD-së së Nazim Bllacës dhe herë-herë seanca i ngjante një teatri.

Salihaj kërkoi nga gjyqtarët të mos lejohen pyetjet ofenduese, në të kundërtën edhe ai do të vazhdonte me të njëjtën mënyrë.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 12 prill, kur pritet të merret në pyetje dëshmitari bashkëpunues Nazim Bllaca.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus