Kryesore » 2012 » Dhjetor » 17 » Rinia optimiste, me gjithë papunësinë e saj në Kosovë
2:50 PM
Rinia optimiste, me gjithë papunësinë e saj në Kosovë
Studimi "Rinia e Kosovës 2012” është një nismë e Fondacionit Friedrich Ebert në Kosovë, e cila u zbatua nga IDRA Research & Consulting (www.idra.al). Ky hulumtim në thellësi ka për qëllim të zbulojë dhe shpjegojë perceptimet, dëshirat, qëndrimet dhe pritshmëritë e rinisë në Kosovë. Hulumtimi prek dimensione të ndryshme të kësaj grupmoshe në mënyrë që të ofroj një pasqyrë të vizionit dhe pikëpamjevetë një gjenerate të re.Pjesa dërrmuese e të rinjve të moshës 16-27 vjeçare në Kosovë jetojnë me prindërit e tyre (91%). Pjesa më e madhe e të rinjve që largohen vonë nga "foleja familjare”, veprojnë kështu sepse mendojnë që kjo është zgjidhja më e përshtatshme për familjen e tyre. Ky numër i madh shpjegon edhe ndikimin e madh që ka familja në jetën e tyre të përditshme.
Të rinjtë kosovarë mendojnë se meshkujt dhe femrat duhet të martohen në një moshë relativisht të re, mesatarisht 24 vjeç për femrat dhe 26 vjeç për meshkujt. Në masë të gjerë (89%)ata e shikojnë të ardhmen e tyre të martuar dhe me një familje relativisht të madhe. Rreth 59% e tyre dëshirojnë të kenë tre ose më shumë fëmijë.

Për të rinjtë kosovarë "Personaliteti” është tipari më i rëndësishëm në zgjedhjen e bashkëshortit apo bashkëshortes. Tipare të tjera me rëndësi të madhe janë(sipas renditjes): Përkatësia fetare, miratimi i familjes, interesat e përbashkëta dhe arsimimi. Virgjëria konsiderohet gjithashtu një faktor i rëndësishëm.

Rinia kosovare ka besim të plotë tek "Familja”. Familja është institucioni social më i besuar, duke u vlerësuar me 98 pikë në një shkallë 0-100 ku 0 do të thotë ‘Aspak besim’ dhe 100 do të thotë ‘Besim i plotë’. "Drejtuesit fetarë” gjithashtu janë shumë të besuar si nga të rinjtë shqiptarë (72 pikë) dhe më shumënga ata serbë (91 pikë).Të rinjtë shfaqen mosbesues ndaj personave me besim fetar të ndryshëm nga i tyri si dhe ndaj personave me bindje politike të ndryshme nga ata.

Të pyetur se si do ta mirëprisnin njëri-tjetrin si fqinjë në një lagje, të rinjtë shqiptarë dhe serbë shprehin mospranim të hapur . Të rinjtë serbë të Kosovës gjithashtu nuk do të ndiheshin mirë të kishin një familje nga SHBA apo nga Evropa Perëndimore për fqinjë. Përkundrazi të rinjtë shqiptarë të Kosovës do ti mirëprisnin familjet e këtyre kombësive.

Vlerat e konsideruara si më të rëndësishmet nga rinia Kosovare janë altruizmi, toleranca dhe korrektësia. Harta e vlerave është ndryshe për të rinjtë serbë të Kosovës – tri vlerat më të rëndësishme për këtë grup janë dinjiteti vetjak, prestigji në shoqëri dhe pasurimi.

Rreth 91% e të rinjve Kosovarë deklarojnë që i përkasin fesë myslimane, por vetëm 26% e tyre shprehen se e praktikojnë fenë e tyre rregullisht.

Rreth 90% e të rinjve shqiptarë të Kosovës ndjehen të sigurt në zonën ku jetojnë. Situata është krejt e kundërt për të rinjtë serbë. Rreth 60% e tyre deklarojnë se ndjehen të pasigurt në zonën ku jetojnë.

Pothuajse 1 në 3 të rinj (29%) dëshiron të zhvendoset diku tjetër në Kosovë dhe pothuajse 1 në 2 të rinj (55%) dëshiron të emigrojë jashtë vendit. Arsyet për të emigruar përfshijnë: "dëshira për të përmirësuar standardin e jetesës”, "aspirata për të pasur shkollim më cilësor” dhe "mundësi më të gjera për punësim”.

Pavarësisht problemeve, të rinjtë Kosovarë janë gjerësisht optimistë për të ardhmen e tyre. Një shumicë prej 87% beson se gjërat do të përmirësohen në 10 vitet e ardhshme.

Rinia Kosovare kalon një pjesë të mirë të ditës duke konsumuar media – duke shikuar televizor, duke dëgjuar muzikë apo duke përdorur rrjetet sociale. Një i ri në Kosovë harxhon mesatarisht 3.5 orë në ditë duke shikuar televizor.



Të rinjtë kanë qasje të gjerë në Internet (91% janë përdorues të Internetit) dhe janë përdorues të mëdhenj të rrjeteve sociale. Ata shpenzojnë mesatarisht 3.5 orë në ditë në Internet.

Shkalla e pjesëmarrjes në shkollë për rininë Kosovare të moshës 16-27 vjeç është relativisht e lartë. Për këtë grupmoshë, afërsisht 2/3(66%) vazhdojnë shkollën (e mesme, universitetin apo program pasuniversitar).

Arsimi është një vlerë e rëndësishme për të rinjtë Kosovarë. Një pjesë dërrmuese prej 92% e nxënësve të shkollës së mesme deklarojnë se planifikojnë të vazhdojnë shkollimin universitar.

Megjithëse aspiratat për arsim janë të larta, niveli i kënaqësisë me sistemin aktual të arsimit është relativisht i ulët. Vetëm rreth 24% janë "Të kënaqur” ose "Shumë të kënaqur” me të.

Sipas studentëve dhe nxënësve të Kosovës, fenomeni i blerjes së notave dhe provimeve në fakultete apo shkolla është i përhapur (35% shprehen se notat/provimet blihen "shpesh” ndërsa 33% shprehen se ato blihen "ndonjëherë”) . Edhe pse është më shumë një perceptim se sa një përvojë personale, ky opinion përbën një çështje shqetësuese për sistemin e arsimit në Kosovë.

Niveli i punësimit është i ulët ndër të rinjtë e Kosovës. Vetëm 32% e atyre që nuk janë aktualisht në shkollë deklarojnë se janë të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme.

Administrata publike është sektori më i preferuar për punësim nga të rinjtë aktualisht në shkollë, me rreth 45% të studentëve që shprehin preferencë për këtë mundësi punësimi.

Të rinjtë Kosovarë mendojnë se njohjet/lidhjet, qoftë personale apo politike, janë faktori më i rëndësishëm për të gjetur punë. Këto kanë më shumë rëndësi se sa "Aftësitë profesionale” apo "Niveli arsimor”. Rreth 50% e të rinjve i përmendin ato si faktorin kryesor për tu punësuar.

Të rinjtë Kosovarë nuk besojnë se vota e tyre ndikon në mënyrën se si drejtohen institucionet nga qeveria vendore apo qendrore. Rreth 51% e të rinjve nuk beson se vota e tyre ndikon qeverisjen në Kosovë. Gjithsesi, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve shfaqin interesim për çështje të politikës në vend (56%).

Të pyetur rreth bindjeve të tyre politike, nëse anojnë nga opozita apo nga qeveria, nëse anojnë nga e majta apo e djathta (pavarësisht se sa apo çfarë dinë për këtë), pak më shumë se 1/3 e të rinjve (36% dhe 34% respektivisht) zgjedhin pozicionin neutral. Rreth 22% e të rinjve nuk e dinë se si ta pozicionojnë veten e tyre në boshtin e ideologjisë politike (bindje të majta apo të djathta).

Në përgjithësi, besimi tek institucionet është i ulët. Të rinjtë i vlerësuan ato mesatarisht me 42 pikë në Shkallën e Besimit me vlera nga 0-100 ku 0 do të thotë "Aspak besim” dhe 100 do të thotë "Besim i plotë”. Institucionet më të besuara janë drejtuesit fetarë (64 pikë), policia (60 pikë) dhe deri diku mediat (55 pikë). Ato më pak të besuara janë UNMIK (26 pikë), partitë politike (28 pikë) dhe EULEX (28 pikë).

Rinia kosovare shprehet se ndjehet e shqetësuar për papunësinë (94%) dhe rritjen e varfërisë (92%) në vend.

Të rinjtë shprehin gjithashtu shqetësim për mundësinë e "ndarjes së territorit të Kosovës” (70%). "Ndotja e mjedisit” është përmendur si një shqetësim tjetër i madh (65%).

Pavarësisht nga problemet që po kalon Bashkimi Evropian, rinia kosovare e mbështet fuqishëm integrimin në BE. Një pjesë e madhe e tyre, 88% mendojnë se Kosova duhet të integrohet në BE.

Kur u pyetën se kur do të hyjë Kosova në BE, të rinjtë u përgjigjën me shumë optimizëm, ndoshta me tepri. Rreth 50% e tyre thanë se Kosova do të hyjë në BE brenda 5 viteve të ardhshme.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus