Kryesore » 2012 » Qershor » 13 » Rexhepi: 101 kriteret e udhërrëfyesit i plotësojmë deri në fund të vitit
2:50 PM
Rexhepi: 101 kriteret e udhërrëfyesit i plotësojmë deri në fund të vitit
Një ditë para se Kosova ta marr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, thotë për Radio Kosovën se janë 101 kritere që Kosova duhet të përmbushë. Vendet e rajonit kanë pasur obligim që të përmbushin vetëm 47 kritere. Mirëpo, Rexhepi thotë se nuk ka hapësirë për dekurajim, sepse të gjitha këto kritere ndihmojnë procesin e integrimit evropian 
I pyetur sa është Kosova e përgatitur të përmbushë kriteret e kërkuara me Udhërrëfyesin, ministri Rexhepi u përgjigj:

Ne kemi të dhëna që ky udhërrëfyes, që zyrtarisht dorëzohet të enjten, pra me datën 14 qeshor, ka 101 kritere, që një pjesë e tyre mund të jenë edhe nënkritere. Sa për krahasim, shtetet e rajonit kanë pasur obligim që të përmbushin 47 kritere, por, çdo shtet që më vonë përfshihet në këtë proces ka më tepër kritere, për arsye se dështimet e menaxhimit të liberalizimit të vizave me shtetet tjera nuk duan të reflektohen edhe te Kosova. Por, kjo për neve nuk është dekurajuese, sepse që nga viti 2009 me udhërrëfyesin vetjak kemi filluar me implementimin e kushteve për procesin e liberalizimit të vizave, ku në disa fusha jemi mjaftë të avancuar. Që të jemi shumë të saktë, duhet ta presim udhërrëfyesin dhe në mënyrë precize ta shohim se çka kërkohet. Në bazë të dinamikës dhe mekanizmave që janë të krijuara sidomos në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe në Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe ministritë e tjera që lidhen me këtë proces, ne jemi optimist që kushtet teknike deri nga fundi i këtij viti kryesisht do t’i plotësojmë. Dhe, pastaj janë çështje e procedurave të ndryshme që shkojnë nëpër instancat e ndryshme të Komisionit Evropian për vendimmarrje për liberalizim të vizave, ku po ashtu edhe Parlamenti Evropian duhet ta votojë një gjë të tillë. Nuk dua të them datë se kur do ta kemi liberalizimin e vizave, por punën tonë besojë që deri nga fundi i vitit kryesisht do ta kryejmë.



Radio Kosova: E përmendët që vendet e rajonit kanë pasur për obligim të përmbushin vetëm 47 kritere, ndërsa Kosovës po i kërkohet që të plotësojë 101 kritere. Mund të cilësohet ky si standard i dyfishtë për Kosovën i vënë nga Komisioni Evropian?
Bajram Rexhepi: Reziku më i madh ka qenë që disa shtete kanë propozuar që ky udhërrëfyes të shkojë në dy faza. Faza e parë implementimi, plotësimi i legjislacionit, pastaj të merret vendimi për dhënien e udhërrëfyesit zyrtar dhe kjo ka qenë ajo që ka qenë e papranueshme për ne. Ne kemi kërkuar që të trajtohemi njëjtë me shtetet tjera të rajonit, natyrisht se jemi të vetëdijshëm se pësojmë një dëm nga shtetet që nuk e kanë menaxhuar mirë këtë proces dhe poashtu edhe ato vende janë kandidate potenciale të rivlerësimit se si e menaxhojnë liberalizimin e vizave. Pra, nuk jemi të dekurajuar sepse në fund të fundit, në të gjitha këto fusha sa më tepër të arrijmë në rezultate pozitive kjo do të jetë një avantazh për Kosovën edhe në procesin e integrimit evropian, sepse, liberalizimi është një pjesë e këtij procesi dhe çdo rezultat pozitiv në drejtim të rendit dhe ligjit, sigurisë, sigurisë së mirë të dokumenteve, menaxhimit të kufijëve e azilit, ka reflektime pozitive edhe në proceset tjera. Kështu që ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi edhe me këto kritere shtesë.



Radio Kosova: Ministër Rexhepi, ka një pikë në udhërrfëyes ku thuhet se ministrat e shteteve anëtare të Komisionit Evropian, mund të paraqesin kushte shtesë varësisht prej zhvillimeve në kohën e përmbushjes së kritereve. E e bënë kjo të pasigurt vendimin final për heqjen e vizave?
Bajram Rexhepi: Kjo nuk është vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet që tashmë janë me liberalizimin e vizave. Nëse Komisioni e bënë një vlerësim negativ kjo mund t’iu ndodhë edhe shteteve që janë në proces. Kështu që në këtë rast nuk ka diskriminim të drejpërdrejt ndaj Kosovës, por në përgjithësi janë shqetësime të vendeve të Bashkimit Evropian, që nëse nuk menaxhohet mirë dhe ka numër të madh të azilkërkuesve, ky proces mund të dëmtohet. Po e përmendi edhe njëherë se koha e azilit politik dhe ekonomik ka përfunduar dhe qytetarët tonë duhet të vetëdijsohen. Pra, armiku më i madh për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, nuk do të jetë sa ne mund t’i përmbushim kushtet, por do të jetë nëse këmi një fluks të madh të azilkërkuesve. Ky është armiku kryesor.

Radio Kosova: Ministër Rexhepi, e përmendet azilkërkimin, parashihni se do te keni vështirësi në ndonjë pikë tjetër të kritereve të kërkuara?
Bajram Rexhepi: Sa i përket menaxhimit të integruar të kufijëve ne realisht qëndrojmë mire. Poashtu sa i përket menaxhimit dhe kontrollit në të gjitha pjesët tjera të Kosovës jemi mirë, përjashtuar veriun e Kosovës ku kontrolli i vijës së gjelbër edhe më tutje i takon KFOR-it. Pra, për shkak të situatës në veri ku ka përgjegjësi edhe KFOR-i edhe EULEX-i, këtu duhet të kemi mirëkuptim nëse plotësisht nuk plotësohen këto kritere. Pra, këto kritere nuk janë që varen vetëm nga institucionet tona, por në këtë rast nuk duhet të jetë ndonjë pengesë për shtyrje të vendimit të liberalizimit të vizave.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus