Kryesore » 2012 » Korrik » 1 » Qosja nuk ftohet në jubile, Kadareja do të mbajë fjalim
11:54 AM
Qosja nuk ftohet në jubile, Kadareja do të mbajë fjalim
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, ka thënë për gazetën Panorama se as që është përmendur fare emri i Akademik Rexhep Qoses gjatë hartimit të listës së pjesëmarrësve në Konferencën Jubilare të Akademisë së Shkencave më 26 nëntor. Në këtë konferencë një kumtesë do ta mbajë Ismail Kadare. "Jo vetëm që nuk është diskutuar, por as është përmendur fare emri i Rexhep Qoses gjatë hartimit të listës së pjesëmarrësve në Konferencën Jubilare të Akademisë së Shkencave më 26 nëntor”. Kështu u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, i pyetur mbi arsyet pse nuk është ftuar në këtë konferencë akademiku Rexhep Qosja. Ndërsa janë hedhur gjithfarë hipotezash, si fakti që akademiku ka dalë kundër Kryeministrit Berisha, apo për shkak të përplasjeve me një tjetër akademik pjesëmarrës, shkrimtarin Ismail Kadare, Beqiraj u shpreh: "Para disa muajsh, një grup i zgjedhur nga Akademia e Shkencave, u mblodh dhe vendosi që në fund të nëntorit të zhvillohet një konferencë jubilare, ku u diskutua mbi platformën dhe gjeografinë e pjesëmarrjes. 

Emrat që përcaktoi ky grup janë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Maqedonia, Amerika. Është një konferencë me një pjesëmarrje të kufizuar, ndaj dhe u quajt jubilare, që të ketë vërtet cilësi. Për të thënë të vërtetën kundër zërave e interpretimeve të ndryshme, në këtë takim nuk është përmendur fare emri i akademikut Rexhep Qosja, siç nuk është përmendur edhe emri i Mark Krasniqit, nga Kosova, i Besim Bokshit, Idriz Ajetit apo Rexhep Ismajlit, të cilët për mua janë të gjithë të barabartë.

Pra, nuk ka asnjë lidhje me atë çka thuhet që është përmendur emri dhe është kundërshtuar. Për të diskutuar për vlerat, në duhet të ishte e kush duhet të ishte, ky komision nuk e pa të arsyeshme dhe kaq. Mund të ketë gabuar, siç mund të gabojnë të gjithë njerëzit, por edhe mund të mos ketë gabuar, pasi unë iu përmenda edhe emra të tjerë shumë të nderuar e të rëndësishëm nga Akademia e Kosovës”.

Kryetari Beqiraj u shpreh se Kosova do të përfaqësohet me kryetarin e Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami. Ai u shpreh se ende nuk është mbyllur lista e të ftuarve e ekziston mundësia që të ftohet dhe Rexhep Qosja, ndërkohë që përmendi faktin që ndër kumtuesit do të jetë Ismail Kadare, i cili e ka pranuar tashmë ftesën.

"S’është bërë ende lista e të ftuarve. Sa u përket kumtuesve, njëri prej tyre është edhe Ismail Kadare, me të cilin ne kemi kontaktuar dhe është dakord, siç kemi komunikuar dhe të tjerë. Kur të bëhet lista e të ftuarve, mund të jetë edhe Rexhep Qosja e shumë të tjerë. Ndërkohë që ne kemi një akademi simotër, që është ajo e Kosovës, dhe nëse nga ajo do të kemi ndonjë vërejtje në lidhje me listën e pjesëmarrësve, patjetër që do të reagojmë”, tha Beqiraj.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus