Kryesore » 2012 » Dhjetor » 6 » Prishtinë, mësymje në ambasadën shqiptare
10:36 PM
Prishtinë, mësymje në ambasadën shqiptare
Propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për ndryshimin e ligjit për shtetësinë, i cili do t’iu mundësonte shqiptarëve jashtë kufijve të marrin shtetësinë shqiptare, automatikisht ka ngjallur mjaft reagime në Prishtinë. Shumë shtetas kosovarë mësynë dyert e ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, jo thjesht për të aplikuar, por me dëshirën për t’u pajisur në mënyrë të menjëhershme me pasaportë shqiptare."Me pasaportën e Shqipërisë mund të udhëtohet në shtetet e huaja dhe duke qenë se kemi fëmijët jashtë, prandaj kemi ardhur këtu. Për ne, duhet të kemi edhe nënshtetësinë e Kosovës, edhe atë të Shqipërisë. A kemi të drejtë që jemi këtu? Sipas Berishës po”, deklaroi për Top Channel Hasan Gashi, një qytetar i interesuar për nënshtetësinë shqiptare.

Telefoni i konsulles shqiptare në Prishtinë, Lorena Gjana, nuk pushon nga qytetarët, të cilët kërkojnë shpjegime rreth marrjes së shtetësisë.

Gjana fillimisht sqaroi për opinionin vizitën e zyrtarëve të Lëvizjes për Bashkim të cilët sipas saj thjesht kanë vazhduar simbolikën e 28 nëntorit.

Formularët e dorëzuar janë jo zyrtarë sepse vijnë nga një institucion që nuk ekziston, siç është Bashkia e Prishtinës (shpjegim: në Kosovë, bashkia quhet Komuna e Prishtinës), rrjedhimisht këto nuk mund të pranohen nga ambasada e Shqipërisë dhe të procedohen më tutje.

"Këto aplikacione janë të pavlefshme, pasi për marrjen e nënshtetësisë shqiptare duhet të plotësohet një dosje specifike për këdo. Bëhet fjalë vetëm për një listë emrash, që i janë komunikuar ambasadës se janë të interesuar për marrjen e nënshtetësisë, por nga ambasada dhe autoritetet shqiptare konsiderohen si aplikacione të pavlefshme, pasi nuk shoqërohen me dokumentet përkatëse”, deklaroi konsullja shqiptare.

Sipas zyrtarëve, interesimi i kosovarëve për pasaportë shqiptare është i madh, por me të kuptuar kushtet aplikimi nuk vazhdon më tej.

Këtë vit, sipas konsulles shqiptare janë plotësuar vetëm pesë aplikacione, nëpërmjet ambasadës apo në mënyrë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.

"Kryesisht janë shtetas që kanë kryer martesa me shtetas shqiptarë dhe kushte për marrjen e nënshtetësisë kështu janë më të lehta. Ata që kanë fituar pasaportën, kanë plotësuar më parë të gjithë kushtet për marrjen e shtetësisë”, deklaroi Gjana.

Deri në kohën kur do të ndryshojë ligji për nënshtetësi, shtetasit e huaj, siç konsiderohen edhe shtetasit e Kosovës, nuk do të mund të pajisen me pasaporta shqiptare nëse nuk i plotësojnë një varg kushtesh, në mesin e tyre edhe qenien rezident në Shqipëri për 3-5 vjet, në varësi të rasteve.

Në Maqedoni, ndërkaq, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi e ka mirëpritur iniciativën e Berishës për pajisjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, me nënshtetësinë e Shqipërisë.

"Është një nismë e mirë dhe e drejtë”, komentoi Thaçi. "Është e drejtë e kryeministrit shqiptar, i cili do t’i bindë të gjithë dhe e ka arritur ketë rezultat, që secili shqiptar pavarësisht ku jeton, në Veles apo Tuz, të ndihet pjesë e kombit shqiptar. Kjo është një politikë shumë e drejtë sipas meje”.

Partia tjetër shqiptare në opozitë, RDK vlerëson se iniciativa e Berishës është e vonuar. "Është një vendim i vonuar, duke u nisur nga fakti se shqiptarët e meritojnë këtë sepse kanë dhënë një kontribut të madh në krijimin e shtetit shqiptar dhe në zhvillimin e tij. Nënshtetësia shqiptare do të jetë një siguri shtesë edhe për shqiptarët e Maqedonisë, pasi Shqipëria është një vend anëtare e NATO-s dhe ky vendim do të jetë edhe një kontribut për shqiptarët e bashkuar në Evropën e bashkuar”, komentoi Izet Zeqiri, deputeti i RDK-së.

Nga partia e Ali Ahmetit, ditën e mërkurë nuk kanë komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha për pajisjen e gjithë shqiptarëve me shtetësi të Shqipërisë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus