Kryesore » 2013 » Nëntor » 29 » Presin vlerësim pozitiv
10:02 AM
Presin vlerësim pozitiv

Riatdhesimi e riintegrimi, siguria e dokumenteve personale, migrimi e azili, janë tri pikat mbi të cilat Komisioni Evropian, së bashku me vendet anëtare të BE-së do ta bëjnë vlerësimin se sa Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.Misioni faktmbledhës i BE-së do të qëndrojë në Kosovë për tri ditë, përkatësisht nga 2 deri më 4 dhjetor të këtij viti, ku përgjigjet për kriteret e plotësuara nuk do të merren vetëm nga niveli qendror dhe nga ai lokal, por edhe nga organizatat joqeveritare vendore e ndërkombëtare dhe do të zhvillohen vizita në pikat kufitare.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka thënë për "Zërin” se pret vlerësim pozitiv nga ana e misionit të BE-së, pasi që në raport me riatdhesimin dhe riintegrimin,sipas saj, Qeveria në bashkëpunim me komunat kanë punuar maksimalisht.

"Kemi ndërtuar mekanizmat e nevojshëm, kemi themeluar departamentin që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme. Secila komunë ka zyrën për këta persona. Buxhetin për këtë kategori e kemi rritur, andaj besoj që komisioni vlerësues do të vërtetojë punën e bërë”, tha Çitaku.

Sa i përket rritjes së numrit të azilkërkuesve kosovarë në vendet e ndryshme të BE-së, Çitaku thotë se ky numër ka filluar të bjerë në gjysmën e dytë të këtij viti.

Ndërsa njohësit e integrimeve evropiane thonë se BE-ja dhe Qeveria e Kosovës janë vonuar t’ua sigurojnë kosovarëve lirinë e lëvizjes në zonën Schengen.

"Janë plot 22 muaj prej se dialogu ka filluar, ndërsa Qeveria e Kosovës po zbaton kushtet tash e pesë vite. Nëse krahasohet me vendet e rajonit, ky proces është i vonuar”, tha Shenoll Muharremi, njohës i çështjeve integruese.

Ai mori shembull Moldavinë që tashmë ka përfunduar kushtet dhe do të përfitojë lëvizjen e lirë, ndërsa të enjten (dje) Ajzerbejxhani ka arritur Marrëveshjen për Lehtësim për Viza.

"Kosovën e kanë tejkaluar vendet e politikës së fqinjësisë së BE-së. Misioni faktmbledhës, por BE dhe Qeveria duhet të dakordohen të vendosin një kornizë kohore për kompletim të këtij procesi dhe qartazi të njoftojnë kosovarët se kur mund ta presin lëvizjen e lirë”, tha Muharremi.

Analisti Luan Shllaku thotë se BE ka dy çështje të cilat i vlerëson më së shumti në raport me Kosovën, që është bashkëpunimi Prishtinë-Bruksel dhe azilkërkuesit kosovarë.

"Besoj që kjo e dyta për azilkërkuesit do të jetë barrë e madhe për kosovarët që të marrin lirinë e lëvizjes”, tha Shllaku.

Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus