Kryesore » 2012 » Prill » 10 » Policia përzgjedh paraprakisht veturat
8:09 PM
Policia përzgjedh paraprakisht veturat
Tenderi i shpallur nga Policia e Kosovës, për furnizim me automjete, në një farë mënyre, del të jetë punë e kryer për një ofertues të caktuar, edhe pse aktiviteti i prokurimit vetëm sa ka filluar.Në tenderin e shpallur më 5 mars 2012, përkatësisht në nenin 2 të njoftimit për kontratë thuhet se kontrata publike kornizë është me një operator, gjë që është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.Po ashtu në njoftimin për kontratë specifikohen veturat si: Vetura patrulluese dhe Pick-up, kombi për bartje të burgosurve, që është në kundërshtim me nenin 28 të këtij ligji.Sipas Nenit 7 të Ligjit të Prokurimit, autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente.”Autoriteti kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton, apo eliminon konkurrencën mes operatorëve ekonomikë, ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomikë”, thuhet ndër të tjera në Ligjin e Prokurimit.

Ndërsa pika 3 e nenit 7 thotë qartë se autoritetit kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës, posaçërisht i ndalohet që të përcaktojë nevojat e veta që duhet të përmbushen, specifikojë lëndën që do të prokurohet, ndajë ose përmbledhë sasitë ose artikujt e tjerë që duhet të prokurohen, duke zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë, ose kriter të përzgjedhjes, ose specifikacion teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose diskriminojë kundër njërit, ose më shumë operatorëve ekonomikë.

Ndërkaq, neni 28 i Ligjit të Prokurimit Publik, i cili flet për specifikimet teknike, thotë se autoriteti kontraktues do t‟i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomikë dhe tenderuesit.

”Autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik. Autoriteti kontraktues nuk do të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenjë dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi”, thuhet më tej në ligj.

Nga ana tjetër, zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës nuk japin ndonjë koment nëse me tenderin e shpallur për furnizim me automjete po paragjykohet fituesi, në kundërshtim me ligjin, mirëpo sugjerojnë që për këtë çështje t’i drejtohemi Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

"Lidhur me kërkesën që ju keni adresuar në zyrën tonë, ju sugjerojmë që t’i

drejtoheni Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, pasi që ky komision është autoriteti që vlerëson ligjshmërinë e tenderëve”, kanë thënë zyrtarët policorë.

Eliminimi i konkurrencës, shkelje e ligjit

Një ekspert i prokurimit, i cili preferon të flasë në kushte anonimiteti, bën të ditur se autoriteti kontraktues duhet t’u japë mundësi që të konkurrojnë në tender të gjithë operatorët ekonomikë, pa bërë kurrfarë diskriminimi, e jo t’ua pamundësojë një gjë të tillë.

"Çdo eliminim i konkurrencës është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe kjo gjë i ndalohet autoritetit kontraktues”, shton më tej ky ekspert.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus